Ukraina ka humbur çdo komunikim me termocentralin e Çernobilit
Ukraina i tha Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) se ka humbur të gjitha komunikimet me stafin i cili ndodhet në objektet e uzinës bërthamore të Çernobilit në veri të vendit, pas ndërprerjes së energjisë elktrike.
Sipas asaj që kanë raportuar mediat e huaja, Çernobili është marrë në kontroll nga forcat ruse.
“Ukraina informoi Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) se kishte humbur sot të gjitha komunikimet me Termocentralin Bërthamor të Çornobilit (NPP), një ditë pasi vendi i kontrolluar nga Rusia humbi të gjitha furnizimet me energji”, tha IAEA në një deklaratë.
Drejtori i Përgjithshëm i IAEA Rafael Mariano Grossi ka folur në lidhje me situatën në Çernobil, duke thënë se stafi në këtë objekt është në rrethana të vështira.
“Nga dita në ditë, ne po shohim një situatë të përkeqësuar në termocentralin e Çornobilit, veçanërisht për sigurinë e stafit që menaxhon objektin në rrethana jashtëzakonisht të vështira dhe sfiduese,” tha ai.
