Estonia ndalon vizat turistike për qytetarët rusë deri sa të mbarojë lufta në Ukrainë
Estonia nuk do të lëshojë viza turistike për shtetasit rusë që kërkojnë të hyjnë në vend, nisur nga situata që është krijuar në Ukrainë e cila ndodhet që prej 14 ditësh nën pushtimin e Rusisë.
“Estonia nuk po lëshon më viza të reja të kategorisë C dhe D (turistike) për qytetarët rusë. Ndalimi do të zgjasë për aq kohë sa Rusia do të vazhdojë të bëjë luftë kundër Ukrainës. Ne po punojmë në mënyrë aktive për të siguruar që masat tona parandaluese në këtë rajon të jenë më të forta”- tha Ministrja e Jashtme e Estonisë, Eva-Maria Liimets.
Do të bëhen përjashtime për njerëzit që kanë familjet në Estoni ose kanë probleme shëndetësore.
Ka pasur një numër më të madh se zakonisht shtetas rusë që kanë hyrë në Estoni që nga pushtimi.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Estonisë, më shumë se 12,000 qytetarë rusë kanë kaluar kufirin tokësor në dy javët fundit.

