Basha në "kullën e fildishtë", mbetet kryetar i PD-së vetëm për Gazment Bardhin: Po reflektoj!

Dështimi i PD-së në zgjedhjet e 6 marsit ka “zgjuar” ambiciet e demokratëve për pushtet brenda partisë.

Ata që deri të dielën mbështetën Lulzim Bashën, sot kërkojnë nga ai që të mbajë përgjegjësi dhe të lërë të lirë karrigen e kryetarit të selisë blu.

Grida Duma: Duhet të dorëhiqet, nuk mund të mbahet PD me asnjë pakicë.

Dhurata Çupi: Unë mendoj që duhet të japë dorëheqjen.

Ervin Salianji: Po, po absolutisht.

Agron Shehaj: Lulzim Basha nuk ka më shumicën brenda PD, për këtë arsye duhet të largohet.

Por Lulzim Basha deri më tani nuk është dorëzuar përballë presionit të shumicës dërrmuese të deputetëve demokratë, duke kërkuar më shumë kohë në dispozicion.

Kjo kohë i nevojitet atij për të analizuar përse mori 13% të votave në 6 mars.

Lulzim Basha: Kemi filluar konsultimet për një reflektim të thellë për humbjen e 6 marsit. Padiskutim do të marrim përgjegjësitë, duke filluar nga unë i pari.

Por deri sa shefi i selisë blu të mendohet, demokratët kundërshtarë brenda godinës po mendojnë për zgjedhjet për drejtuesin e ri.

Agron Shehaj: Kur të hapet gara do të vendos.

Grida Duma: Kjo është një gjë që as më shkon ndërmend ta mendoj tani. E vetmja gjë që unë dua tani është që të rikthehet debati politik real.

Ringritjen e PD-së këta deputetë e shohin tek zgjedhja e kryetarit të ri, por duke e përjashtuar përballjen në garë me liderin historik të demokratëve Sali Berishën.

Grida Duma: PD duhet të ecë përpara, jo të shkojë mbrapa.

Përgjigjen për këtë qëndrim të tyre, Sali Berisha u tregon kartën e votës së lirë.

Sali Berisha: Hapje të plotë mbi bazën e kontributeve ndaj të gjithë atyre që pranojnë votën e lirë.

I vetmi besnik ndaj Lulzim Bashës, të paktën publikisht, ka mbetur Sekretari i Përgjithshëm.

Edhe Bardhi mendon që pasqyra e rezultatit të zgjedhjeve ka nevojë për analizë, më pas të vendoset mbi postet e tyre.

Gazment Bardhi: Nuk është çështje karrigesh dhe as çështje emrash. Gazment Bardhi dhe askush tjetër nuk kanë lindur në një pozicion të caktuar për të qëndruar gjithë jetën në një pozicion.