Demalia: Po s’pati lëvizje masive deri në 500 mijë persona protesta s’do ketë rezultat
Ilir Demalia ka komentuar protestën që u zhvillua ditën e sotme nga qytetarët, kundër rritjes së çmimit të naftës dhe të produkteve ushqimore.
Demalia në një lidhje të drejtpërdrejt për Ora News, tha se e shikon pozitive protestën, pasi nuk ishte e përfshirë politika.
Ilir Demalia: E përshëndes këtë protestë, për vet faktin se nuk pashë politikanë, përveç disave. Është mirë mos të përfshihet politika. Pashë një frymë tjetër nga protestat e tjera. Pashë se ndëshkoheshin nga protestuesit të gjithë klasat politike.
Ndër të tjera ai akuzoi politikën për gjendjen në të cilën ndodhet sot Shqipëria.
Ilir Demalia: Qytetarët nuk besojnë në zgjidhjen e kësaj klase politike. Kjo klasë politike janë përgjegjës për këtë gjendje që është sot Shqipëria. Janë të korruptuar, janë injorantë, dhe nuk kanë dashamirësi për vendin e tyre. Këtë klasë e treguan dhe zgjedhjet. 70% e popullsisë që tregon mosbesushmëri ndaj kësaj klase politike nuk begenisin të votojnë më.
Më tej publicisti tha se nëse në protestë nuk do të marrin pjesë mbi 500 mijë persona nuk do të ketë rezultat.
Ilir Demalia: Dhe protesta, po nuk patën një lëvizje masive që të arrijnë 500 mijë persona nuk do të kenë rezultat, do të fiken. Edi Rama është mësuar me këto.
