Debatet në PD/ Kryetarët "kryqëzojnë" deputetët për humbjen, Kapllanaj: Berishës s'po i mbarojnë lekët, imagjino Ramës

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka gjetur strehë të sigurt të kryetarët e degëve të zgjedhur prej tij përballë revanshit të deputetëve, shumica e të cilëve e bënë përgjegjës për humbjen e PD në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit duke i kërkuar dorëheqjen.

Në mbledhjen e Kolegjit të Kryetarëve, kryetarët e degëve i kanë akuzuar deputetët si shkaktarë të rënies së votave.

Ora News ka zbardhur diskutimet e tyre në mbledhjen me dyer të mbyllura që nisi në 17:30.

Njëzëri ata kanë deklaruar se Basha nuk duhet ta mendojë dorëheqjen por tu kërkojë llogari deputetëve për performancën e dobët në fushatë.

Nga ana tjetër nuk kanë munguar akuzat dhe ndaj Foltores dhe Sali Berishës, që sipas tyre ishin bashkë në zgjedhje me LSI, PS dhe Tom Doshin.

Akuzat nuk munguan dhe për shitblerje të votës.

Deklaratat në mbledhje

Ferdinand Saraçi, kandidat për bashkinë e Rrogozhinës: Kishim përballë edhe qeverinë edhe Foltoren. PS e Foltorja patën të deleguar që ndanin para. Ju më dërguat disa deputetë,  por vetëm Dash Sula ka qenë në krah. Pati shitblerje të votës. Kanë pare e pushtet. Foltorja e dinte se nuk kishte shanse por vazhdoi me shantazhe e blerje votash. Nuk ke faj ti që humba Rrogozhinën, mbaj përgjegjësi vetë dhe duhet të jetë përgjegjësi edhe e deputetëve që ishin. Kërkoju llogari deputetëve. Nuk vihet në fushatë për foto. Nuk keni faj ju pse humba unë. Kemi faj unë dhe ata deputetë që ishin. Janë dhënë lekë. Unë kaq kisha mundësi. Ata që të kërkojnë llogari ty, ti kërkojnë llogari vetes.

Rezart Thupi, drejtues i fushatës së Luan Hotit në Durrës: Të deleguarit kanë punuar sikur fushata ishte 3 muaj. Duhet t'ju them që ishim vetëm. Ju si kryetar partie sollët si të deleguar me shumë pushtet zonjën Duma, që e dëgjova dje me shumë interes ku kërkonte dorëheqjen tuaj. E dërguara politike zonja Duma ka ardhur një herë në 3 ditë. Publikoi foto pa kandidatin. Organizoi takim me gratë dhe u anashkalua  takimi për një qokë familjare. Në numërimin e votave prania e deputetëve ishte zero. Në vend që të kërkonte dorëheqjen tuaj duhet të vinte në procesin e numërimit drejtuesja politike dhe deputetët. Kanë qenë vetëm strukturat e PD Durrës. Duhet t'ju them që ishim vetëm. Me përjashtim të zotit Hoxha, pjesa tjetër nuk kanë qenë shumë afër. Duhet të ndryshojmë rrënjësisht funksionimin në bazë. Duhet strukturë e vogël por efiçente.

Mark Ruçi, kreu i Partisë Demokratike në Mirditë: Duhet një strategji që të dimë si të ecim nesër në zgjedhje. Makineria e pushtetit vijon vijën e partisë së pushtetit të parë (komunizmit). Duhet të konsultohemi me njerëzit që të marrim përgjegjësi. Duhet të qetësohemi e të llogjikojmë. Falenderoj kandidatët që përballuan një garë të parabartë.

Fran Frrokaj, nënkryetar i PD në Lezhë: Falenderoj 6 kandidatët. Nga 6 bashki, 5 kanë qenë të majta. Nuk ka ndodhur që në zgjedhje të pjesshme të fitojë opozita. Mos të shkojnë deputetët me verbale, por të shkojnë për të punuar.  Duhet të kthjellohemi e të gjykojmë. Të gjithë harrojnë se Berisha është non grata dhe sulmojnë PD. Ne nuk jemi për kryetarin dhe as atë që do vijë nesër, por jemi për PD. Vendimi fundit që duhet të mendosh dorëheqjen kryetar. Duhet ta harrosh dorëheqjen. Në 2013 nuk ke humbur ti, por Sali Berisha me 1 milion vota kundër. Kishte krejt shtetin por humbi me 1 milion vota kundër.

Behar Haxhia, kryetar i degës së PD në Kurbin: Falenderoj kandidatët që e morën përsipër këtë përballje. Ku fitohet përballë këtij pushteti. Nuk e mendoj dorëheqjen time dhe as ti s'duhet të mendosh dorëheqjen. Sa të jetë PD, ne jemi në PD. S'ka rëndësi kush është kryetari.

Xhemal Bushati, kandidat për bashkinë e Shkodrës: Unë e kam filluar fushatën për qytetarët, si një fushatë për qeverinë vendore. Në Shkodër kishim qeverinë,  administratën, PSD e Foltoren. Kishim Bashkinë, LSI, presionin e Bashkisë ndaj qytetarëve më shumë se askush. Ju kërkoj me modestinë time, ashtu siç ishim në gjithë Shkodër, ta shëtisim krejt Shqipërinë. I kam bërë thirrje demokratëve të bashkohemi, nuk duhet të ndahemi. Kryetarja e bashkisë bënte presion për vota. Duhet tu japim shpresë njerëzve. Ngreje zërin kryetar. Kërkoju llogari.

Arjan Lika, kryetar i degës së PD-së Mat: Të gjithë armiqtë duke na gjuajtur ne, ndërsa ne duke gjuajtur njëri-tjetrin. Trekëndëshi i Bermudës e caktoi vet kush del i pari e kush i fundit. Kandidatët mos të mërziten fare, bravo u qoftë që e morën përsipër këtë përballje. Deputetët dhe drejtuesit të jenë më pranë njerëzve. Nuk duhet gjuajtur me gurë të parin e shtëpisë tonë. Ja e hoqëm, vjen një i ri. Si do e zgjidhë problemin me Sali Berishën? Ai (Berisha) nuk e zgjidh dot problemin me Amerikën. Ju bëj thirrje ta mbështesim Lulzim Bashën. Me 9 shtator mori një vendim për të mirën e kësaj shtëpie. Duhet të punojmë, reflektojmë. Nuk është situatë e mirë, por duhet të vazhdojmë fort përpara.

Mirlinda Çollaku, kryetare e degës 2: Në Vorë mekanizmi që përdor PS u sofistifikua çdo ditë. Paguajnë për të sjellë votuesin në votim. Duhet ti bindim shqiptarët që PD nuk është individi, por ajo partia e madhe që ka qenë. Kjo duhet bërë duke folur me njerëzit.

Pëllumb Seferi, kryetar dega 8: Në Vorë pashë bashkëpunimin Berisha-Rama-Meta dhe bandat.  Njerëzit ishin të frikësuar. Ishte gjithçka e mbyllur. Njerëzit kërcënoheshin nëse ishin votues të PD. Përçarja e PD i jepte fitoren PS dhe këtë bënë.

Vesel Koçia, kyetar dega Sarandë: Meta e Berisha organizuan zgjedhjet për të goditur PD. Deputetët ngelën nëpër Tv e konferenca, i lanë njerëzit në rënie të lirë. Nëse kryesia dhe deputetët do ishin seriozisht në terren, nuk do të kishim këtë rezultat. Duhet organizim i strukturave. Mbështes riorganizimin dhe kthim në terren.

Anton Kokaj, kryetar dega Malësi e Madhe: Duhet të dalim te njerëzit. Kemi kohë me reflektu, edhe me e drejtu gishtin tek ju zoti Basha. Por duhet të gjykojmë me qetësi. Kishim dy palë që donin me na hangër, PS e Foltorja. Foltorja ka bashkëpunuar me PS në Shkodër në çdo qendër votimi me përllogaritje. Kandidatët tanë kanë vlerë.

Sabah Sheta, kryetari dega Krujë: Duhet të qëndrojmë. Shoh të gjithë këta burra e gra të përkushtuar. Nuk na duhen ata të selfie-ve e Facebook, të na hiqen sysh.  Na duhen njerëz të përkushtuar të ecim para.

Agron Kapllanaj, kryetar i PD-së dega Fier: Sali Berisha në këto zgjedhje ia arriti qëllimit, e kishte jetë a vdekje, lekët nuk i mbaronin, me sa duket “duart e pastra” paskan bërë punën e vet. Duhet të marrim masa për të ndalur shitblerjen e votës, kemi komisionin për reformën zgjedhore dhe atë territoriale, të bëjmë ndryshime për të ndaluar këto fenomene. Nëse nuk i ndalojmë, nuk do të ketë ndryshim sepse nuk po i mbarojnë lekët Berishës, imagjino Edi Ramës. Lekët e Berishës e të Ramës nuk mbarojnë kurrë. Po rritet çmimi i votës. Foltorja bleu vota e komisionerë. Kanë lëvizur fuoristrada me lekë.

Taulant Zeneli, Sekretari për kordinimin elektoral: “Më ka çu nona me la gojën”, kështu sillen të deleguarit nga qendra kur shkojnë në bazë. Disa duken sikur janë në pushtet, jo në opozitë. Na duhet punë e përditshme, me plane konkrete, këtu duhet të filloj puna nga drejtuesit e lartë të PD, drejtuesit politik dhe deputetët. Nuk mund të rrinë në seli sa për t’u dukur para jush. Mungesa e tyre në rrethe, ju është faturuar ju. Shkojnë në fushatë sa për një foto në Facebook. Duhet të ngremë zërin, kërkesë llogarie, po nuk e bëre hap krahun, se kemi plot burime njerëzore.

Luan Haka, kandidat i Partisë Demokratike për bashkinë e Dibrës: Nuk ka qenë një fushatë, ne jemi përballur me banda. Jo vetëm me të Ramës, por edhe me të Sali Berishës. Të gjithë fushatën Foltorja e kishte me ne. Lekë për të blerë demokratë. Pastaj kishim 3 ministra të PS-së që rrinin në 3 hotele të ndryshme. Votuesve u bëhet presion me një asistencë sociale. Shpërndanë naftë 3 ditë e fundit tek fermerët. Gjithë policia nëpër rrugë me presione.