"Rusia e paaftë për luftë të gjatë, humb", Gjenerali Piro Ahmetaj: Ukraina, si këmbanë alarmi për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Jo vetëm që do ta humbasë luftën, por Rusia do të humbasë edhe rëndësinë e saj gjeopolitike pas luftës. Kjo është analiza që i bën konfliktit në Ukrainë,  Gjeneral  Piro Ahmetaj, i cili gjithashtu bën thirrje që kjo sitatë të shërbejë si këmbanë alarmi për njohjen sa më parë të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në NATO.

Lufta Rusi-Ukrainë, ka vetëm një përfundim sipas Gjeneralit Piro Ahmetaj, triumfin e ukrainasve.

Në analizën e tij, eksperti i Sigurisë Kombëtare vlerëson forcën ushtarake të Rusisë, por në planin afatgjatë nuk është e mjaftueshme për të fituar ndaj një kombi martirësh, si Ukraina.

Sanksionet ekonomike të vendosura nga perëndimi ndaj Rusisë dhe asistenca ushtarake ndaj Ukrainës, nga disa vende anëtare të Natos, përfshirë këtu edhe Shqipërinë, sipas Gjeneralit, do të sjellin jo vetëm dështimin e Moskës, por edhe diskreditimin e saj në sytë e botës së qytetëruar.

Në analizën e tij, Gjeneral  Piro Ahmetaj, nuk lë vend për panikun e krijuar nëse do ta shtypë apo jo butonin e kuq të armëve bërthamore Putin.

Me një Jo të fortë ai beson se elitat mëndjehapura dhe gjenerata e re e Rusisë nuk do të lejojnë që historia e kombit të tyre të damkoset përjetësisht si një shtet terrorist. 

Për Gjeneralin shqiptar Ukraina do jetë edhe “fillimi i fundit për Putinin e marrosur nga ambiciet Staliniste”, duke e përmbyllur karrierën politike me gjakun eqytetarëve të Ukrainës dhe Rusisë, çka do ta  damkos atë përjetësisht në sytë e  botës së qytetëruar.

Në këtë analizë,  eksperti i Sigurisë vlerëson edhe thirrjen e kongresmenit amerikan Ritchie Torres për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Sipas tij çfarë po ndodh Ukrainë duhet të shërbejë edhe si një mësim për të parandaluar hapjen e vatrave të tjera të luftës, por edhe të shërbejë si një këmbanë për Greqinë, Rumaninë, Spanjën dhe Sllovakinë për ta njohur Kosovën dhe për t’i hapur rrugë asaj për ta bërë pjesë të aleancës ushtarake.