"Të bëhemi gati për betejën e ardhshme", Basha nuk konsideron dorëheqjen: Të gjithë përgjegjës për humbjen
Lulzim Basha duket se nuk e konsideron dorëheqjen si kryetar i PD-së as pas humbjes së radhës në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.
Këtë ka lënë në diskutimet e tij në mbledhjen me dyer të mbyllura me kryetarët e degëve të PD.
Basha: Përgjegjësia bie te të gjithë, por fillon me mua. Secili duhet të mbajë përgjegjësi. Ne kemi në dorë të qëndrojmë, të bëjmë betejë, të bëjmë ndryshime, të tejkalojmë kultin e individit, për t’u bërë gati për betejën e ardhshme.
Humbja e zgjedhjeve të 6 marsit ka sjellë jo vetëm kërkesën e kryesisë për dorëheqjen e Bashës, por dhe përçarjen e vetë strukturave drejtuese të selisë blu.
Kanë qenë kryetarët e degëve që kanë reaguar kundër deputetëve, duke i akuzuar se ishin ata që kanë sjellë këtë rënie të votash.
Në mbledhjen e Kolegjit të Kryetarëve të nisur rreth orës 17:30, kryetari i PD në Rrogozhinë, njëkohësisht dhe kandidati për kryetar të Bashkisë, akuzon Shtëpinë e Lirisë dhe socialistët se kanë shantazhuar dhe kanë blerë vota.
Por ndër të tjera ai i ka kërkuar Bashës tu kërkojë llogari parlamentarëve, pasi sipas tij në fushatë shkonin për të bërë foto.
Në takim nuk munguan as euforizmat, ku edhe pse selia blu u rendit e treta, deklarohet se u përballua një garë e pabarabartë.
