Zbardhet Vendimi i Apelit për Tahirin, favorizoi grupin e Habilajve, nuk përmbushi detyrën kundër kanabisit

Suksesi i grupit kriminal të vëllezërve Habilaj në trafikun e drogës gjatë periudhës 2013-2017 është evidentuar nga Gjykata e Apelit si element fajësie për dënimin e Saimir Tahirit me dy vjet burg. Sipas togave të zeza, ish-ministri nuk përmbushi detyrën duke lejuar përhapjen e kanabisit. Tahiri fajësohet se nuk ka iniciuar procedimin dhe përgjimin e grupit Habilaj edhe pasi ish-oficeri Dritan Zagani deklaroi publikisht se ata kryenin trafik droge.

Gjykata e Posaçme e Apelit ka zbardhur vendimin me të cilin dënoi ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri me dy vjet heqje lirie.

Në dokumentin prej 277 faqesh të shpallur në datën 2 shkurt 2022, gjyqtarët shprehen se rrezikshmëria shoqërore e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, e kryer nga Saimir Tahiri, ka ardhur pasi si pasojë e mos-ushtrimit në mënyrë të plotë dhe në përputhje me ligjin të kompetencave nga ai si Ministër i Punëve të Brendshme ka ardhur përhapja e madhe dhe e pakontrolluar të fenomenit të kultivimit të bimëve narkotike.

Gjykata sjell në vëmendje se, duke pasur parasysh edhe marrëdhënien e qëndrueshme ndërmjet kushërinjve Saimir Tahiri dhe Artan, Florian dhe Moisi Habilaj nga njëra anë dhe suksesin kriminal të arritur prej grupit të strukturuar kriminal Habilaj në periudhën tetor 2013 – tetor 2017.

Togat e zeza theksojnë se një sukses i tillë kriminal nuk mundet të realizohet veçse falë një imuniteti të tillë nga veprimtaria shtetërore që vetëm një funksionar kaq i lartë kushtetues dhe shtetëror mundet ta ofrojë, sikurse është Ministri i Punëve të Brendshme.

Tjetër element fajësie sipas gjykatës është përdorimi i funksionarëve të policisë vendore; mos shqetësimi nga informacionet operative që vinin here pas here nga organet e tjera ligjzbatuese; mos procedimi penalisht për asnjë nga fazat e mekanizmit të veprimtarisë kriminale të lëndëve narkotike të shpërndarë në të gjithë hapësirën tokësore dhe detare të Qarkut Vlorë dhe infiltrimi si bashkëpunëtorë të brendshëm dhe të jashtëm në grupin e strukturuar kriminal i kaq shumë funksionarëve të policisë dhe të shtetit.

Po kështu apeli ka evidentuar mosveprimin e Ministrit të Punëve të Brendshme për të kërkuar pranë Prokurorit të Përgjithshëm vënien në përgjim parandalues të anëtarëve të grupit të strukturuar Habilaj, sidomos pas datës 03.09.2015, ditë në të cilën z. Dritan Zagani publikisht bëri të njohur faktin se vëllezërit Habilaj merren me trafikimin e lëndëve narkotike si grupi më i fuqishëm në Vlorë.

Një tjetër element fajësie sipas gjykatës është edhe pranimi në mënyrë implicite apo eksplicite i përfitimeve të padrejta materiale apo jomateriale nga ana e të pandehurit z. Saimir Tahiri në cilësinë e Ministrit të Brendshëm nga kreu i grupit të strukturuar kriminal, i pandehuri në procedimin e lidhur z. Moisi Habilaj dhe vëllai i tij z. Artan Habilaj. Autoritetet italiane I kanë përgjuar ata pa dijeninë e tyre teksa flisnin për orë dhe rroba që do ti blinin ish ministrit dhe buzhuteri për personat e afërt. Gjykata I ka marrë si prova këto përgjime pasi personat nuk e dinin që ishin nën mbikëqyrje nga policia.