Përshtati lokalin për lojëra fati, arrestohet Inspektori i Tatimeve në Fier. Në pranga dhe 2 të tjerë

Policia e Fierit ka arrestuar një 41-vjeçar me detyrë Inspektor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier i cili kishte përshtatur lokalin e tij, për organizimin e lotarive të palejuara.

41-vjeçari akuzohet se shpërdoronte detyrën duke fshehur të ardhurat nga aktiviteti në subjektin e tij.

Policia ka arrestuar edhe 2 shtetas të tjerë që ushtronin veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit, në ambientet e lokalit.

Blutë bëjnë me dije se në kuadër të operacionit "Fati i lojërave" u arrestua R. B., 41 vjeç, banues në Levan (i punësuar pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore Fier), për veprat penale "Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Fshehja e të ardhurave” dhe "Shpërdorimi i detyrës"; D. B., 40 vjeç dhe J. B., 43 vjeç, banues në Levan, Fier, për veprat penale "Organizimi i lotarive të palejuara” dhe "Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike".

Gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Levan, në lokalin e shtetasit R. B., i cili ushtronte aktivitetin në subjektin (lokalin) e paregjistruar në organet përkatëse, këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, duke organizuar dhe ushtruar në bashkëpunim, aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit.

U sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 aparate celulare, 2DVR, një shumë parash dhe një sasi e vogël me lëndë narkotike cannabis sativa.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.