Vrau nusen dhe vjehrrën në Devoll, arrest me burg për 36-vjeçarin

Ky është Ali Zili, 36 vjeçari që masakroi Bukurie dhe Fatmira Bami në banesën e tyre në fshatin Progër të Devollit.

Për krimin më të rëndë ndaj grave vitet e fundit në vendin tonë, rastësia e deshi që gjykata e Korçës ta mbyllë në qeli më 8 Mars.

Ai u shfaq përballë togave të zeza i prangosur dhe pas kafazit të xhamtë nuk shfaqi emocione kur mësoi masën arrest me burg.

Ashtu si në dëshminë e parë pasi u vu në pranga, pranoi vrasjen e dy fqinjëve nën efektin e alkoolit për 6 mijë lek që ato i kishin borxh për drutë e zjarrit.

"Më kishin lekë borxh. Vajta t'i kërkoja, por më thanë që nuk t’i japim. Nuk mbaj mend asgjë se isha i dehur me alkool."

Fatmira 60 vjeçare  dhe vjehrra e saj, 80-vjeç Bukurie Bami u gjetën të masakruara për shkak të goditjeve me sende të forta në banesën e tyre të shtunën.

Ali Zili, i cili në fshat njihej si njeri problematik dhe i dhunshëm u vu në pranga disa orë pas krimit makabër për të cilin rrezikon burg për jetë.

"Ne kemi kërkuar në vazhdimësi të hetimeve një ekspertim psikiatriko-ligjor për të përcaktuar nëse ky person ka pasur apo jo çrregullime mendore në momentin e kryerjes së veprës penale. Për momentin nuk është i kartelizuar", tha avokati.

Ky 8 Mars e gjen Shqipërinë me 5 gra të vrara, dy nga ish bashkëshortët dhe tre nga fqinjët.

Dinamika e ngjarjes

Sipas autorit të krimit, rreth orës 20:30, Ali Zili fillimisht është afruar tek porta e jashtme e shtëpisë, e cila ka qënë e mbyllur, ka trokitur por nuk iu përgjigj njeri dhe ka kapërcyer murin rrethues të banesës dhe ka hyrë në pjesën e verandës së banesës.

Më pas ka trokitur tek dera që të fut në ambientet e brendshme te banesës dhe pohon se, ka dalë Fatmira, e cila i ka thënë se çfarë donte.

Kur Aliu i ka kërkuar paratë e druve, ajo i ka thënë të ikte sepse nuk kishte. Në këtë moment Aliu, ka treguar në polici se e ka gjuajtur me pëllëmbë në fytyrë dhe ajo është rrëzuar. Pas këtij veprimi, ka dalë me shkop në korridorin e banesës vjehrra e Fatmirës, Marie Bami që autori e thërret dhe Bukurije Bami, dhe ka tentuar ta godasë me shkop në kokë.

Aliu ja ka rrëmbyer shkopin nga dora dhe me të ka filluar t'i gjuajë të dyja gratë, duke i gjuajtur edhe me dru zjarri, të cilat ndodheshin të stivuara në pjesën e verandës së banesës, duke i lënë të shtrira në tokë.