Administratori vodhi 28 mln lekë kompanisë ku punonte, arrestohet 59-vjeçari në Tiranë. Nën hetim ekonomistja
Një 59 vjeçar është arrestuar pasi akuzohet se “gjatë ushtrimit të detyrës si administrator në një kompani private, për një periudhë ka vjedhur 28 milionë lekë të rinj nga të ardhurat e kompanisë” informoi sot policia e Tiranës.
Bëhet fjalë për një periudhë 3-vjeçare, nga viti 2018 deri në vitin 2021.
Në kuadër të operacionit të koduar “Administratori” është procedurar penalisht dhe bashkëpunëtorja e tij, shtetasja N. Gj. me detyrë ekonomiste.
Administratori K. M., 59 vjeç akuzohet për veprat penale "Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën", "Fshehja e të ardhurave" dhe "Mashtrimi".
“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, gjatë ushtrimit të detyrës si administrator në një kompani private, për një periudhë 3-vjeçare, nga viti 2018 deri në vitin 2021, duke shpërdoruar detyrën, ka vjedhur 28 milionë lekë të rinj nga të ardhurat e kompanisë” informon policia e Tiranës
Arrestimi u krye nga Specialistët e Sektorit për Krimin Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.