Bora nuk iku me dimrin, rikthehen reshjet intensive nga veriu deri në Llogara
Dëbora dhe problematikat që krijon në shumë zona të vendit nuk ikën me dimrin. Reshjet u rikthyen intensive në veri dhe zbritën deri në Llogara.
Reshjet e dëborës zbritën deri në jug në javën e dytë të pranverës.
Këto pamje vijnë nga Llogaraja, ku Parku Kombëtar ka veshur mantelin e bardhë, ndërsa trashësia e dëborës shkon deri në 20 cm.
Rruga është e qarkullueshme pa probleme, por drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes për shkak të rrezikut që vjen nga lagështia.
Reshjet ishin intensive në juglindje dhe veri ndërsa temperaturat ranë në zero.
Fshati Panarit në Korçë, Arrëza në Devoll dhe një pjesë e njësisë Dardas në Pogradec u bllokuan.
Akset nacionale dhe ato turistike si Korçë-Ersekë –Leskovik, Korçë- Dardhë, Korçë-Voskopojë, janë të hapura, por rekomandohet përdorimi I gomave dimërore.
Bora mbuloi edhe zonat malore të qarkut Elbasan.
Në akset Librazhd-Peshkopi dhe Librazhd-Qarrishtë, Labinot Mal-Benë, Prrenjas Qukës-Skënderbe kalohen me zinxhirë.
Në veri reshjet e borës ishin intensive në bashkinë e Pukës, duke krijuar vështirësi në qytet dhe zonat e thella ku arrin deri në 40 cm.
Për shkak të pranisë së borës, ngricave dhe lagështirës në rrugë drejtuesit e mjeteve këshillohen tregohen të kujdesshëm, të respektojnë sinjalistikën dhe të pajisjen me zinxhirë e goma dimërore për çdo situatë.
