I shpallur në kërkim për prostitucion dhe vrasje në Itali, arrestohet 42 vjeçari në Tiranë
Një 42-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale "Vrasja", "Plagosja e rëndë" dhe "Shfrytëzim prostitucioni" është prangosur nga policia e Tiranës.
Operacioni i koduar "Sette", i zhvilluar nga Seksioni i Forcës së Posaçme Shqiponja, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës dhe Interpol Tirana çoi në pranga 42-vjeçarin K. S., 42 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Torino, Itali, e ka dënuar me 7 vjet e 8 muaj burg për veprat penale "Vrasja", "Plagosja e rëndë" dhe "Shfrytëzim prostitucioni", parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
Pas ndalimit nga shërbimet e Policisë, ky shtetas ka paraqitur një dokument identifikimi të falsifikuar.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese italiane, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.
