PD pa kryetarë komisionesh në 22 QV në Vorë, Celibashi: KZAZ respektoi ligjin, trajnimi nuk mjafton

Kreu i KQZ-, Ilirjan Celibashi, u është përgjigjur pretendimeve të PD-së në lidhje me mospranimin e propozimeve të tyre për kryetar komisionesh në 22 qendra votimi në Vorë.

PD pretendon se ata kishin dërguar propozime nga Tirana që kishin njohuri mbi sistemin elektronik të votimit dhe numërimitqë po aplikohet në Vorë, por KZAZ nuk i pranoi për shkak se ata nuk ishin nga Vora.

Celibashi deklaroi se KZAZ ka respektuar ligjin, duke theksuar se procesi do të vijojë njësoj në Vorë pasi është plotësuar kuorumi i nevojshëm.

"Ka qenë një situatë, edhe nga pikëpamja ligjore, nuk ka qenë e thjeshtë që ata të vendosnin. Nga pikëpamja procedurale vendimet e tyre kanë qenë në rregull, nga pikëpamja cilësore kur ka patur probleme janë korrigjuar nga KAS.  Nuk ka lidhje me kërkesat e KQZ plotësimi i kërkesave të ligjit për të patur komisonerë në qendrat e votimit. Është zgjedhje e subjekteve politike. Rëndësi ka që propozimet për anëtarë të Komisioneve të qendrave të votimit të jenë në përputhje të Kodit Zgjedhor. Veprimtaria e anëtarëve të KZAZ është në përputhje me ligjin. Propozimet duhet të jenë në përputhje me kërkesat e Kodit Zgjedhor. të gjitha qendrat e votimit kanë minimumin 4 anëtarë, në 25 qendra votimi ka sekretarë dhe anëtarë që janë propozuar nga PD, në qendrat e tjera ka kuorum për të vijuar veprimtarinë, por mungon kryetari që do të duhej të propozohej nga PD".

Celibashi e cilësoi të arsyeshëm argumentin e PD por shtoi se jo çdo person i trajnuar për teknologjinë plotëson kërkesat e ligjit për të qenë anëtar i Komisionit të QV.

"Është i arsyeshëm si argument, nëse janë të kualifikuar ndihmojnë më shumë në mirëadministrimin e procesit zgjedhor por është shumë e rëndësishme që në themel propozimet të jenë në përputhje me Kodin Zgjedhor, duke respektuar të gjitha kërkesat e tij përfshirë vendbanimin, në kërkesën për emërimin e anëtarëve të komisioneve të Qendrave të Votimit. Mund të jetë dikush shumë i trajnuar por nuk plotëson kërkesat e ligjit për të qenë anëtar i Qendrës së Votimit".

22 QV funksiojnë me kuorum, me katër anëtarë disa prej tyre. Kështu do funksionojnë deri në fund?

"Të gjitha QV e kanë minimumin katër anëtarë, diku janë katër dhe diku 5. Në 25 QV ka sekretarë dhe anëtarë të propozuar nga PD, në QV e tjera ka kuorum por mungon kryetari që do të duhej të propozohej nga PD".