Zingraf në Shkodër: Kureshtar, s'ka zgjedhje të pjesshme në Gjermani. Kim nga Durrësi: Vota e drejta dhe përgjegjësia juaj

Ashtu si në çdo proces zgjedhor, edhe votimet e pjesshshme që po mbahen këtë të dielë në 6 bashki të vendit kanë tërhequr vëmendjen e diplomatëve të huaj të akredituar në vendin tonë. Stafi i Ambasadës së SHBA po vëzhgon votimin në të gjashtë bashkitë, ndërsa vetë ambasadorja Yuri Kim ishte në Durrës, nga ku i bëri apel qytetarëve të votojnë. Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, ndoqi nga afër procesin për zgjedhjet e pjesshme vendore në Bashkinë e Shkodrës.

Ambasadori gjerman Peter Zingraf vëzhgoi procesin zgjedhor në Shkodër. Ai tha se prezenca e tij në kryeqendrën e veriut nuk ka arsye të veçantë ndërsa interesi i tij është kryesisht atmosfera e përgjithshme.

"Jam shumë kureshtar të shoh si është atmosfera e përgjithshme e zgjedhjeve që për nga domethënia e tyre nuk janë shumë të rëndësishme. Gjykoj se është një përgatitje shumë e mirë e tyre. Vij herë pas here me shumë dëshirë në Shkodër, nuk ka pasur shkak të veçantë".

Prezenca e përfaqësuesve diplomatikë në Qendrat e Votimit për Zingraf është thjesht rutinë.

Personalisht ai tha se ka kureshtje pasi në Gjermani nuk ekzistojnë zgjedhjet e pjesshme në asnjë nivel.

"Ky aksion i përbashkët i ndërmarrë nga ambasadat e BE dhe partnerë të tjerë të vendit tuaj është aksion që merret zakonisht, edhe më i madh ka qenë prillin e shkuar gjatë zgjedhjeve parlamentare. Unë kam kureshje sepse në Gjermani nuk ekzistojnë zgjedhje të pjesshme të këtij formati".

Nga ana tjetër ai tha se nuk ka asnjë indikacion për shitblerje të votës, një fenomen i konstatuar në zgjedhjet e shkuara parlamentare.

"Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit të shkuar ka pasur kritika rreth rasteve të caktuara të problematikës së shitblerjes së votës. Për zgjedhjet aktuale nuk kam pasur sinjalizime. Kryetari i KQZ theksoi se pranë autoriyetetit të tij nuk ka mbërritur asnjë denoncim, ka pasur pak indikatorë në lidhje me një keqpërdorim të resurseve shtetërore".

I pyetur lidhur me çështjen Berisha, diplomati gjerman është i kujdesshëm dhe nuk preferon ti bashkohet apelit të koleges amerikane Kim.

"Nuk dua të komentoj se kush voton për kë është çështje e elektoratit shqiptar dhe jo e imja".

Ndërkohë Ambasadorja amerikane Yuri Kim ishte në Durrës.

Ajo apeloi qytetarët të votojnë.

"Të votuarit është e drejta juaj dhe përgjegjësia juaj. Kështu që votoni!"