Parakalimi i gabuar dhe shpejtësia shkakton 5 viktima në rrugë, shuhen këngëtari dhe fejuara, bashkë me instrumentistin po ktheheshin nga performanca live

Një parakalim i gabuar 15 minuta pas mesnatës shkaktoi vdekjen e pesë personave në rrugën Fushë Krujë-Milot. Këngëtari i muzikës popullore Shkumbin Brati dhe partnerja e tij 16-vjeçare humbën jetën ndërkohë që më 4 mars kishin festuar fejesën. Ata ndodheshin pasagjerë në makinën e Artan Alushit që humbi jetën gjithashtu në aksident. 

Ngjarja ndodhi si pasojë e përplasjes ballore të makinës së të rinjve me mjetin e drejtuar nga Alfred Dika, i cili është viktima e katërt e aksidentit. Ndërkohë pas 18 orësh në spital do të ndërronte jetë dhe Rudina Haka.

Një aksident i rëndë me pasojë pesë të vdekur ka ndodhur 15 minuta pas mesnatës së shtunës në aksin rrugor Fushë Krujë-Milot. Viktima kanë mbetur çifti i të rinjve Shkumbin Brati, 20 vjeç, këngëtar i muzikës popullore dhe Almeina Karaj, 16 vjeçe. Në datën 4 mars dy të rinjtë kishin festuar fejesën, e cila për fat të keq u kthye në tragjedi nga kjo ngjarje e rëndë rrugore.

Nga përplasja e forte mes dy automjeteve ka humbur jetën edhe drejtuesi i makinës ku ishin dy të rinjtë, shtetasi Artan Alushi, 30 vjeç si dhe shoferi i makinës tjetër Alfred Dika, 39-vjeç. Ndërkohë ngjarjes së rëndë nuk arriti t’i mbijetojë plagëve as 34-vjeçarja, Rudina Haka, e cila ndodhej pasagjere në makinën e drejtuar nga Artan Alushi. Pas 18 orësh e shtruar në spital, Haka e humbi betejën me jetën.

Policia ka bërë të ditur se në momentin e aksidentit dy mjetet po lëviznin me të paktën 100 kilometër në orë ndërkohë që shpejtësia e lartë, terreni i rrëshqitshëm dhe parakalimi i gabuar dyshohen si shkaqe të aksidentit.

Shkumbin Brati ishte këngëtari muzikës popullore, ndërsa Artan Alushi, që drejtonte makinën ku ndodheshin të rinjtë, ishte instrumentist. 

Të dy ata bashkë me Almeina Karajn dhe të mbijetuarën Rudina Haka, kishin qenë deri në orët e vona të së shtunës në një lokal me muzikë në Shënkoll të Lezhës, ku kishin performuar si ishin anëtarë të një grupi muzikor. Por aksidenti i ndodhur në afërsi të fshatit Borizanë në Fushë-Krujë, u mori jetën në rrethana tragjike.

Ekspertët kanë zbardhur edhe dinamikën e aksidentit ku rezulton se makina ku ndodheshin të rinjtë është përplasur me mjetin e drejtuar nga 39-vjeçari Alfred Dika që po udhëtonte i vetëm me mjetin Mercedes Benz nga Fushë-Kruja në drejtim të Milotit, i cili dyshohet se ka kryer edhe parakalimin e gabuar duke u dale përballë mjetit tip golf ku ndodheshin tri viktimat e tjera dhe pasagjerja e mbijetuar. 

Aksi rrugor ku ndodhi ngjarja cilësohet si njollë e zezë në hartën e ngjarjeve rrugore në vend pasi ka shkaktuar edhe më herët viktima dhe të plagosur.