Komshiu vrau nuse e vjehërr në banesë, banori: Ta varin në mes të fshatit, policia e Devollit e merr e lëshon
Fshati Progër në Devoll është tronditur nga ngjarja e rëndë që ka ndodhur ditën e sotme, ku nusja dhe vjehrra, Fatmira dhe Bukurie Bami, janë gjetur të vrara dhe me shenja dhune në banesën e tyre.
Ndërkohë si autor i ngjarjes është arrestuar Ali Zili, 36-vjeç, banues po në këtë fshat.
Sakaq banorët të prekur nga ngjarja, shprehen që autori duhet varur në mes të fshatit.
Banori thotë se Zili është arrestuar më parë por që është liruar nga policia e Devollit.
“E kemi fshtar, është i dhunshëm. Fshati ta var aty ku duhet vrarë. Se kemi herën e parë, Policia e Devollit e merr e lëshon, e merr e lëshon."- tha ai.
Fatmira Bami, rreth 60 vjeçe dhe vjehrra e saj Bukurie Bami, rreth 80 vjeçe, janë gjetur të pajeta dhe me shenja dhune rreth orës 15:15, 5 mars në banesën e tyre. Ato kanë mbetur të vdekura si pasojë e goditjeve me sende të forta nga autori Ali Zili, i cili është arrestuar nga policia dhe ka pranuar krimin.
Ali Zili sipas policisë, dyshohet se ka hyrë për të vjedhur në banesën e viktimave dhe kur ka hasur në rezistencën e tyre, i ka dhunuar ato me sende të forta duke ju shkaktuar vdekjen.
Ky i fundit ka pranuar krimin, ndërkohë mësohet se ishte me precedentë të mëparshëm penalë, për dhunë dhe për vjedhje.

