Pezullimi i Dukës si kreu i FSHF-së “në fuqi", avokati: Vendim i paligjshëm, politika po ndërhyn në sport
Gjykata e Tiranës nuk ka pranuar kërkesën e kreut të FSHF-së Armand Dukës dhe dy zyrtarëve të tjerë për heqien e pezullimit nga detyra. Gjyqtari Artan Gjermeni vendosi të lëre në fuqi pezullimin megjithesë nga avokatët vendimi u cilësua si i paligjshëm dhe si një rast flagrant i ndërhyrjes së politikës në sport.
Gjykata e Tiranës ka lënë fuqi masën e pezullimit nga detyra të Armand Dukës si president i FSHF.
I njëjti vendim është marrë edhe për drejtuesit e tjerë të federatës, Ilir Shulku, sekretari i përgjithshëm dhe Ardian Haçi, kryetar i Shoqatës Tirana.
Sipas gjykatës, pezullimi nga detyra do të jetë në fuqi deri në përfundimin e hetimeve.
"Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit për personin në hetim Armand Duka."
Masa nga Gjykata e Tiranës është dhënë në 27 shkurt ndërsa brenda 5 ditësh kishte të drejtë të zhvillonte seancën për verifikim të masës.
Vetë tre të proceduarit nuk ishin të pranishëm por përfaqësoheshin nga avokati Julian Mërtiri, i cili e quajti të paligjshëm kërkesën e prokurorisë.
Nga ana tjetër, prokurori Arben Agovi ka kërkuar të mbetet në fuqi pezullimi nga detyra, duke e konsideruar si masë të nevojshme.
Kallëzimi në Prokurorinë e Tiranës u bë nga kreu i Bashkisë Erion Veliaj.
Arsyeja lidhej me përgatitjet që Duka, Shulku dhe Haçi, po bëjnë për organizimin e Asamblesë së 2 marsit, sipas paditësve në kundërshtim të ligjit dhe pesë vendimeve të dhëna nga Gjykata javën e kaluar.
