Pushtimi rus, 1500 fëmijë ukrainas mbërrijnë në Itali
Mbi 1500 fëmijë e të rinj ukrainas kanë mbërritur gjatë orëve të fundit në Itali.
Autoritetet italiane kanë aktivizuar një korridor humanitar për mikpritjen e mijërave refugjatëve ukrainas që do të strehohen në rajone e komuna të ndryshme duke iu ofruar asistencë, kujdes shëndetësorë e shkollim.
Mes tyre ka fëmijë të sëmurë që kanë nevojë të menjëhershme për kura mjekësore e që po mikëpritën në spitale të ndryshme të rajoneve italiane.
9 vogëlushë onkologjik ukrainas po kurohen në spitalin Regina Margherita të Torinos, 6 të sapolindur e rreth 20 vogëlushë të tjerë janë shpëtuar nga ambasadori italian në Ukrainë i cili i strehoi për disa ditë në selinë e tij, duke mundësuar dhe evakuimin e tyre drejt Italisë.
Rreth 60 fëmijë jetimë ukrainas po strehohen në Padova pas apelit për ndihmë nga Kisha ukrainase, 180 fëmijë të tjerë të moshës 8- 18 vjeç të jetimores Volodarka në rrethinat e Kiev, e të adoptuar në distancë nga prindër italianë, janë në pritje të mbërritjes së tyre në Itali e fati i rreth 100 mijë minorë të strehuar në institutet jetimore në Ukrainë ka motivuar një fushatë fondesh nga familje, vullnetarë e aktivistë italianë.
Refugjatëve nga Ukraina, autoritetet italiane i grantojnë leje qëndrimi për motive humanitare me afat kohor të paktën 2 vjecarë.
Familje italiane kanë hapur dyert për mikpritjen e tyre, për gra e fëmijë ukrainas që pasi kapërcejnë kufirin e vendit të tyre janë të terrorizuar, të pa orientuar e të pambrojtur në kërkim të një strehimi.
Matteo Salvini Kryetari i Partisë Lidhja, pjesë e koalicionit të qeverisë së Mario Draghit, ka informuar mbi shifrat e fundit të ukrainasve që orë pas ore po mbërrijnë në Itali.
Së bashku me një grup senatorësh e nënsekretarin e shtetit për arsimin Rossano Sasso kanë vizituar Ambasadën ukrainase në Romë, e kanë vendosur lule në nderim të viktimave të popullit ukrainas.
Kreu i Partisë Lidhja ka informuar se i ka kërkuar Ambasadorit rus në Romë, dhënien fund të konfliktit të armatosur në Ukrainë e të njëjtë gjë do t'i kërkoj dhe Ambasadorit kinez që të ndihmoj për ta ndalur këtë luftë.
"Emergjenca kryesore në këtë moment është të ndalet lufta. Italianët nuk e duan luftën. Duhen ndaluar zhvillimet ushtarake se me ato nuklearet nuk ka më kthim pas", tha ai.
Mbi raundin e dytë të bisedimeve ruso-ukrainase, kreu i Lidhjes u shpreh se "duhet ushqyer shkëndija e dialogut. Fakti se Ukraina e Rusia janë ulur në të njëjtën tavolinë, pavarësisht luftës e pushtimit është një lajm i mirë e le të shpresojmë të gjithë që armët të ndalen. Të lutem që punimet në këtë tavolinë të sjellin paqe."

