Menuja, Anulohet tenderi 400 mijë dollarë për kompaninë e djalit të drejtorit Dritan Agolli

Anulohet tenderi me vlerë rreth 400 mijë dollarë i Fondit Shqiptar të Zhvillimit për projektin e menusë së 100 fshatrave. Komisioni i Prokurimit Publik ka vendosur të pranojë ankesën e kompanisë pjesëmarrëse në garë, pasi ka gjykuar se institucioni i drejtuar nga Dritan Agolli nuk ka hartuar kriteret e vlerësimit teknik në përputhje me legjislacionin e prokurimeve publike.

Komisioni i Prokurimit Publik ka anuluar tenderin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit për realizimin e menusë së 100 fshatrave me vlerë rreth 400 mijë dollarë,që iu dha kompanisë së djalit të drejtorit të këtij institucioni, Dritan agollit.

Anulimi i kësaj procedure ka ardhur pas ankimimit të një prej operatorëve pjesëmarrës në garë, të cilët kanë kundërshtuar vlerësimin me pikë të propozimeve teknike të paraqitura.

Në njoftimin publik të Komisionit të Prokurimit Publik bëhet me dije se ky institucion ka pranuar ankesën e bashkimit të operatorëve “Kube Studios” SHPK & “Albanian Gastronomy Academy AGA” SHPK & “CBS Creative Business Solutions” SHPK.

Komisioni ka gjykuar se kriteret e vlerësimit teknik për menunë e 100 fshatrave nuk janë në përputhje me ligjin për prokurimet publike dhe kjo përbën shkak për anulimin e procedurës.

Në njoftim theksohet se Fondi Shqiptar i Zhvillimit i ka hartuar kriteret e vlerësimit teknik pa përcaktuar qartë se si operatorët ekomomik të ftuar duhet të hartojnë ofertat e tyre teknike.

Shkeljet thellohen më tej pasi Komisioni ka konstatuar se kërkesat minimale të përcaktuara nga autoriteti kontraktor janë të njëjta me kriteret e kualifikimit, çka e bën të pakuptimtë vlerësimin teknik, për sa kohë që këto kritere janë plotësuar paraprakisht në fazën e parë të procedurës.

Në garë për tenderin morën pjesë 3 subjekte dhe fitues u shpall kompania Mascarpone me pronar Alfio Rrotanin, i cili është punonjës në restorantin e djalit të drejtorit të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Ky operator kërkoi 2 milionë lekë më shumë se kompania ankimuese për të realizuar kontratën.