Sekuestrot 7.2 miliardë lekë, Agjencia publikon bilancin e pasurive të sekuestruara në 2021

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara në Ministrinë e Financave ka publikuar bilancin e vitit 2021 ku rezultojnë 7.2 miliardë lekë të sekuestruara. Nga ky total vetëm 508 milionë lekë asete janë konfirmuar për të kaluar në emër të shtetit.

Viti 2021 ka regjistruar një vlerë pasurish të sekuestruara prej rreth 7.2 miliard lekësh, ndërsa pasuritë e konfiskuara kapin vlerën e 508 milionë lekëve.

Të dhënat janë publikuar nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara e të Konfiskuara për vitin e shkuar.

Referuar dokumentit të bërë publik gjatë vitit 2021, Agjencia ka marrë në administrim 399 pasuri, nga të cilat 327 janë të sekuestruara dhe 48 janë të konfiskuara.

Në listë janë edhe provat materiale të konfiskuara, ku përfshihen 24 pasuri me një vlerë të përafërt prej 1.8 milionë lekë, ndërsa të revokuara rezultojnë 31 pasuri me një vlerë 574 milionë lekë.

Vendin e parë të sekuestrimeve apo konfiskimeve për vitin 2021 e zënë pasuritë që dyshohet se janë krijuar përmes prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike.

Sipas të dhënave rezultojnë në total 232 pasuri të bllokuara në bazë të akuzës së trafikut të lëndëve narkotike.

Vendi i dytë i përket personave nën aktakuzën e vrasjes me dashje, të cilëve u janë bllokuar në total 54 pasuri.

Personat që janë akuzuar për grup të strukturuar kriminal janë një tjetër segment të cilëve u është vënë nën sekuestro apo u janë konfiskuar në total 45 pasuri.

Ndërsa 19 pasuri ta kapura gjatë vitit 2021 u përkasin individëve nën aktakuzën e shfrytëzimit të prostitucionit.

Sa i përket pasurive të personave të akuzuar për korrupsion, Agjencia raporton se janë 15 asete të bllokuara me këtë aktakuzë.

Përveç pasurive të paluajtshme rezulton se ndër asetet e sekuestruara e të konfiskuara gjenden edhe shumë automjete.

Agjencia e Administrimit të Pasurive të Konfiskuara e të Sekuestruara raporton se një pjesë e tyre u kanë kaluar në pronësi disa institucioneve siç janë Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Parave, SPAK, institucioneve shtetërore dhe njësive të qeverisjes vendore.