Grafite gjigante kundër Putinit, artistët në gjithë Evropën i dërgojnë mesazhin: Të pret Haga!

Artistët në të gjithë Europën janë bërë bashkë për të përcjellë një mesazh solidariteti për Ukrainën dhe një paralajmërim për presidentin rus. “Putin, Haga po të pret”, ishte mesazhi që u shkruan në një rrugë pranë ambasadës ruse në Lituani. Ndërkohë, qeveria lituaneze do t'i kërkojë Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës të hetojë Rusinë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Ukrainë.

Artistët gjermanë dhe ata lituanezë janë bërë bashkë në një nismë për të përcjellë një mesazh kundër presidentit Vladimir Putin, dhe agresionit rus në Ukrainë. 70 artistë gjermanë morën 3,3 ton bojë dhe shkruan në një strukturë ure që është planifikuar të shembet mesazhin për Ukrainën: “Le të ndërtojmë ura”.

"Mbi të gjitha ne duam që mesazhi të arrijë tek populli ukrainas, në mënyrë që ata të dinë se njerëzit e tjerë mendojnë për ta dhe janë të përfshirë në këtë çështje. Ky ishte mesazhi kryesor që donim të dërgonim dhe kjo është arsyeja pse e bëmë këtë. "tha një nga organizatorët, Davis Pahl.

Nisma “ Luedenscheid” pikturoi shkronjat në shenjë paqeje me ngjyra ukrainase në urën Rahmedetal, e cila është në rrezik të shembet dhe është mbyllur për trafikun dhe njerëzit përpara se të shkatërrohet përfundimisht.

Në Vilnius, kryebashkiaku i kryeqytetit lituanez pikturoi një mesazh ndryshe: 'Putin, Haga po të pret' në një rrugë pranë ambasadës ruse, ndërsa Ukraina po përgatitet për bombardimin e kryeqytetit të saj Kiev.

Kur u zgjodh në vitin 2015, kryetari i bashkisë së Vilnius Remigijus Simasius urdhëroi heqjen e statujave të fundit monumentale sovjetike të mbetura në vend, duke i quajtur ato "një gënjeshtër" dhe që atëherë është bashkuar me paraushtarakët për të trajnuar rezistencën kundër një sulmi.

Qeveria lituaneze tha se do t'i kërkojë Gjykatës Penale Ndërkombëtare në Hagë të hetojë Rusinë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Ukrainë.