Duka: Do të propozoj një datë tjetër për zgjedhjet për kreun e FSHF-së
Pas vendimeve të Gjykatave të Tiranës për bllokimin e zhvillimit të zgjedhjeve për kreun e Federatë, ndërhyrjeve dhe një situate jo shumë të qetë, presidenti aktual i FSHF-së, Armand Duka ka reaguar duke kërkuar një ndryshim plani.
Në një njoftim në profilin e tij në Facebook, Duka shkruan se do të propozojë që Asambleja e 2 Marsit që do të mblidhet të shqyrtojë në një datë tjetër dy pika të rëndësishme, zgjedhjet për President dhe për anëtar të Komitetit Ekzekutiv.
“Të nderuar miq,
Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka vendosur thirrjen e Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore më datë 2 mars 2022, me një rend dite siç e parashikon Statuti i FSHF-së: miratimin e bilancit financiar, miratimin e buxhetit, miratimin e raporteve të auditorëve të pavarur dhe zgjedhjet për organet drejtuese, për President dhe anëtar të Komitetit Ekzekutiv për katër vitet e ardhshme.
Duke qenë dëshmitar të një procesi të ndërlikuar me debate e akuza, por edhe disa vendime gjyqësore, përfshirë dhe atë për Shoqatën Rajonale të Futbollit Tiranë që duhet të respektohen detyrimisht, unë do t'i propozoj dhe do t'i kërkoj Asambles që pikën e rendit e ditës për zgjedhjet e organeve drejtuese të FSHF për President dhe anëtar të Komitetit Ekzekutiv, të shqyrtohen në një datë tjetër.
Uroj që kjo periudhë t'i shërbej një procesit të rregullt statutor dhe gjithë kandidatëve për të shpalosur platformat e tyre përballë komunitetit të futbollit.
Armand Duka”, ishte reagimi i kryetarit të FSHF, Duka. Duket se tashmë është krijuar një ide që zgjedhjet të mbahen në një moment tjetër dhe siç e shkruan dhe ai vet, ku kandidatët të shpalosin në mënyrë të rregullt platformat e tyre./Ora News/.
