Dy futbollistë dhe një skiator ukrainas të vrarë në luftimet me ushtrinë ruse
Pas shumë ditësh luftë, Ukraina tani po numëron viktimat nga invazioni rus. Të vendosur për të mbrojtur vendin, janë edhe shumë persona publikë dhe sportistë që i janë bashkuar luftës kundër Rusisë agresore.
Siç bëhet e ditur nga FIFPro, Unioni Botëror i Futbollistëve, në Ukrainë janë vrarë edhe dy futbollistë ukrainas dhe bëhet fjalë për Vitalii Sapylo 21 vjeç dhe Dmytro Martynenko 25 vjeç. Sapylo, një futbollist i Karpatit, ishte me origjinë nga fshati Sokilnyky afër Lviv dhe u vra në një betejë afër Kievit.
Ndërsa sulmuesi i FC Hostomel, Dima Martynenko u nderua sezonin e kaluar si lojtari më i mirë në divizionin e dytë, ku ishte golashënuesi më i mirë. Ai mbeti i vrarë nga një bombë që i ra në shtëpinë e tij e ku dhe e ëma gjithashtu vdiq, ndërsa motra e tij 7-vjeçare u plagos rëndë dhe babai i tij i mbijetoi sulmit.

Mësohet gjithashtu se edhe Yevhen Malyshev, vetëm 20 vjeç ka mbetur i vrarë teksa po kryente shërbimin ushtarak.

Ai ishte pjesë e kombëtares ukrainase të Biathlon ku ka marrë pjesë në disa aktivitete për të rinj ndërsa ish shokët e kombëtares shkruajtën “Heronjtë nuk vdesin kurrë” në nderim të tij./Ora News/.
