"Pak më tutje jepen urdhra për sulm ndaj një populli". Trajneri gjerman braktis Lokomotivën e Moskës

Agresioni rus në Ukrainë vijon të ndikojë në shumë personalitete të sporteve. Sidomos në futboll ka shumë reagime dhe veprime si solidarizim ndaj Ukrainës por edhe si formë proteste ndaj Rusisë.

Edhe trajneri gjerman Markus Gisdol ka marrë vendimin për të lënë drejtimin e Lokomotivës së Moskës, klubi kryeqytetas që po përpiqet të arrijë kupat e Evropës.

Veprimi i trajnerit vjen pas agresionit rus dhe ai konfirmoi se nuk mund ta bënte me diçka të tillë në Rusi.

“Nuk mund ta vazhdoj punën time në një vend ku udhëheqësi i tij është përgjegjës për luftën dhe agresionin në mes të Evropës. Kjo nuk është në përputhje me vlerat e mia, ndaj i kam kërkuar klubit dorëheqjen nga posti i trajnerit me efekt të menjëhershëm. Nuk mund të qëndroj në fushë duke stërvitur dhe u kërkuar profesionalizëm futbollistëve, kur pak kilometra më larg jepen urdhrat për t’i shkaktuar vuajtje një populli të tërë.”

Gisdol e mori drejtimin e skuadrës në muajin tetor, i sponsorizuar nga Ralf Rangnick, i cili ishte ende duke punuar si drejtor sportiv i klubit të kryeqytetit rus në atë kohë. Gisdol, ka punuar edhe në Gjermani si ish-trajner i Hoffenheimit, Hamburgut dhe Kölnit në Bundesligë./Ora News