Opozita siriane zgjedh lidershipin
Opozita siriane do të zgjedhë lidershipin e ri. Bisedimet mbi përbërjen e grupit pritet të vazhdojnë sot në Doha të Katarit.Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë perëndimor kanë mbështetur krijimin e një udhëheqjeje të bashkuar të opozitës, e cila do të përfshinte përfaqësues të rebelëve dhe të aktivistëve që luftojnë kundër regjimit të presidentit sirian, Bashar al-Assad.Nga grupi kërkohet që të koordinohet për veprimet ushtarake, shpërndarjen e ndihmave dhe përgatitjet për një qeveri të tranzicionit.Këshilli Kombëtar i Sirisë, të cilin e përbëjnë opozitarë të regjimit, është kritikuar se përbëhet nga një numër i madh të përfaqësuesve në mërgim.Revolta popullore në Siri ka nisur në mars të vitit të kaluar. Protestuesit që kërkojnë largimin e Assadit thuhet se janë shtypur brutalisht nga forcat e regjimit.Aktivistët thonë se mbi 35,000 persona, shumica nga ta civilë, kanë humbur jetën në trazira.