Lufta Rusi-Ukrainë, sa rrezikon Ballkani?
Beteja ka hyrë këtë të hënë në ditën e pestë. Rusia dhe Ukraina po përballen me njëra tjetrën ushtarakisht në çdo qytet. Ukrainasit janë mobilizuar dhe po luftojnë për të mbrojtur vendin e tyre. Zyrtarët ukrainas njoftojnë se deri më tani kanë humbur jetën 352 civilë, mes të cilëve 14 fëmijë.
Por sa rrezikon rajoni i Ballklanit nga kjo situatë?
Analisti dhe studiuesi Armand Plaka në një intervistë në RTV Ora tha se "është folur për rreziqe të cilat mund të implementohen në të njëjtën mënyrë edhe në rajonin tonë."
Plaka: Është rajoni më i katapultuar, për shumë vite Moska akuzohet se po ndërhyn në mënyrë direkte apo indirekte në proceset zgjedhore, në proceset politike në këto vende. Ka interes të shtuar politik, por edhe ushtarak. Të mos harrojmë në këto vitet e fundit prezencën ushtarake të Moskës në afërsi të kufirit me Kosovën, sikurse dhe ndihmat apo dhe furnizimet ushtarake të Moskës, por jo vetëm, le të themi oreksin e Beogradit për tu armatosur gjatë gjithë këtyre viteve që përkojnë me vitet e Presidentit aktual Vuçiç. Përbën një aspekt shumë shqetësues me të cilin duhet të përballesh në mënyrë të përputhshme. Si Kosova si Shqipëria duhet të rimendojnë politikat e tyre të mbrojtjes dhe duhet të alokojnë më shumë fonde për politikat e tyre të mbrojtjes dhe mos ta marrin të mirëqenë, në rastin e Shqipërisë anëtarësimin në NATO.
