Policia e Durrësit bën namin me gjoba, 5 shoferë të arrestuar, mbi 1500 masa administrative
Policia e Durrësit ka intensifikuar kontrollet me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve të mjeteve që shkelin rregullat e qarkullimit rrugor apo drejtojnë mjetet në mënyrë të parregullt.
Gjatë javës së kaluar janë arrestuar 5 shtetas për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt".
Janë pezulluar 14 leje drejtimi, nga të cilat: 6 për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit dhe 8 për drejtim mjeti mbi shpejtësinë e lejuar.
Janë vendosur 1568 masa administrative gjatë javës që lamë pas, të ndara si vijon:
- 304 masa për tejkalim shpejtësie;
- 135 masa për mosvendosjen e rripit të sigurimit;
- 5 masa për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse;
- 105 masa për përdorimin e aparatit celular;
- 247 masa për parakalime të gabuara;
- 382 masa për ndalim/pushim të mjetit në kundërshtim me sinjalizimin rrugor dhe rregullat e qarkullimit;
- 5 masa për mungesë të siguracionit të mjetit;
- 385 masa për shkelje të rregullave të tjera të Kodit Rrugor.
