Degradon shkolla në kryeqytet, kompania e landfillit të Tiranës duhet të financonte 1.3 mln euro për restaurimet

Edhe pse janë pjesë e Bashkisë Tiranë, fëmijët e fshatit Prush në njësinë administrative të Vaqarrit nuk e ndjejnë veten si të tillë, pasi kopshti dhe shkolla e tyre që ndodhen vetëm 1 kilometër larg landfillit të Tiranës janë në gjendje të mjerueshme. Edhe pse kompania koncensionare u ngarkua për të bërë rikonstruksionin e godinës, asnjë qindarkë nuk është shpenzuar në të, si nga kompania ashtu dhe nga Bashkia e Tiranës.

Kompania e landfillit duhet të financonte 1.3 milionë euro për restaurime në shkolla, por kjo nuk ka ndodhur.

Në shkollën "Ibrahim Hima", vetëm 3 kilometra nga kombinati gjendja është e mjerueshme dhe është kështu prej vitesh.

Kjo është konstatuar  jo vetëm nga nxënësit qe ndjekin mësimin në këtë shkollë, por edhe nga prindërit, të cilët janë shumë të shqetësuar për këtë situatë.

Në kushtet e një realiteti Migjenian, në këtë shkollë mësimi nuk mund të zhvillohet normalisht pasi çatia pikon sa herë ka reshje shiu. Nxënësit shprehen se është njësoj si të zhvillonin mësim jashtë.

"Para një muaji kanë ardhur për ta rregulluar soletën, por nuk e merrnin përsipër. Akoma pikon kur bie shi."

Kushteve higjieno-sanitare nuk i është kushtuar aspak vëmendje në një kohë që rreziku nga pandemia vijon të jetë realitet. Tualete brenda shkollës nuk ka, ndaj fëmijët duhet të dalin jashtë edhe kur ka reshje shiu. Në rubinetet e shkollës, rrjedhja e ujit ndodh vetëm në ëndërr, pasi realiteti flet ndryshe.

"Bankat janë të prishura."

"Të prishura, disa s'bëjnë, disa të pista."

"Tualetet janë në gjendje skandaloze, dyert janë të prishura, ujë nuk ka."

Ngrohja realizohet me dru, por në shumicën e rasteve është jo-efektive.

"Para disa ditësh sollën dru, pro ishin shumë të lagur dhe nuk ndizen."

Prindërit janë të shqetësuar se fëmijët e tyre mund të sëmuren në këto kushte skandaloze higjienike.

"Gjendja është shumë e mjerueshme."

As edhe njëherë, nxënësit e kësaj shkolle nuk kanë patur një fushë normale për të zhvilluar orën e fiskulturës.

Një rrjetë e lidhur keq e keq në mes të zhavorrit është gjithçka që kanë.

Nga një bisedë me drejtorin e shkollës, konstatuam se Bashkia e Tiranës ka premtuar se këtë javë do të marrë masa për gjendjen e shkollës. Ende nuk dihet nëse kjo ndërhyrje do të jetë reale.

Degradon shkolla në kryeqytet, kompania e landfillit të Tiranës