Bisedimet e paqes Rusi-Ukrainë, studiuesi: Është momenti të futet më fort në lojë diplomacia

Në ditën e pestë pas hyrjes së forcave ruse në Ukrainë, delegacionet nga të dy vendet kanë nisur bisedimet që synojnë t'i japin fund luftës.

Bisedimet po mbahen në rajonin Gomel në kufirin midis Ukrainës dhe Bjellorusisë.

Studiuesi Armand Plaka në një intervistë në RTV Ora me gazetaren Besmira Pelushaj u shpreh se duhet vlerësuar ky moment sepse ishte mëse i domosdoshëm.

Plaka: Nuk prisja rezultat sikurse edhe po ndodh. Por të paktën ulja në tavolinën e bisedimeve është lajmi i vërtetë i ditës. Ndërkohë që nuk duhet të paragjykojmë vazhdimin e tyre. Ana ruse përfaqësohej me një delegacion të nivelit të dorës së dytë dhe delegacioni paralel, ai i palës ukrainase ishte i nivelit disi më të lartë. Kjo lidhet pak me ato lojërat që Presidenti Putin shquhet për një lloj pragmatizmi dhe lojëra të tilla të minutave të fundit. Delegacioni i Ukrainës ka besimin e plotë dhe operon aty direkt në emër të Presidentit Zelenskyy, por delegacioni rus me një lëvizje të ditëve të fundit është vendosur të jetë një format i tillë, që mos përfaqësohet nga një nivel i lartë. Mbani mend dhe distancimin e Presidentit Putin me bashkëpunëtorët e tij më të afërt që ka ngjallur shumë reagime. Përpjekja nga të dyja palët është e tillë për të fituar kohë dhe maksimumi i asaj që mund të arrihet do të ishte një armëpushim, që mund të jetë 1-2 ditor.

Sa e vështirë do të jetë për tu gjendur një zgjidhje diplomatike?

Plaka: Duket e vështirë përderisa punët erdhën deri këtu. Mund të themi pa mëdyshje se ka qenë një dështim total i diplomacisë në përgjithësi, perëndimore dhe asaj ruse. Viktima më e madhe është Ukraina, por me deduksion nuk është më pak viktimë edhe populli rus duke menduar numrin e ushtarëve të vrarë. Mendoj që është momenti të futet më fort në lojë diplomacia.