Presidenti Zelensky kërkon anëtarësimin e menjëhershëm të Ukrainës në BE
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, kërkon anëtarësimin e vendit të tij në BE.
“Ne i kërkojmë Bashkimit Evropian anëtarësimin e menjëhershëm të Ukrainës sipas një procedure të re speciale”, tha Zelensky në fjalimin me video.
"Qëllimi ynë është të jemi së bashku me të gjithë evropianët dhe, më e rëndësishmja, të jemi në baza të barabarta. Jam i sigurt se është e drejtë. Jam i sigurt se është e mundur," tha ai.
Në një videomesazhi, Zelensky u bëri thirrje gjithashtu ushtarëve rusë që të linin armët.
"Hiqni pajisjet tuaja. Largohuni nga këtu. Mos u besoni komandantëve tuaj. Mos u besoni propaganduesve tuaj. Vetëm shpëtoni jetën tuaj," tha ai.
Udhëheqësi ukrainas tha gjithashtu se autoritetet do të lironin të dënuarit me përvojë luftarake në mënyrë që ata të mund të ndihmonin në mbrojtjen e vendit.
"Ne kemi marrë një vendim që nuk është i lehtë nga pikëpamja morale, por që është i dobishëm nga pikëpamja e mbrojtjes sonë," tha ai.
Ndërkohë autoritetet ukrainase kanë njoftuar se delegacioni i tyre ka mbërritur në kufirin Ukrainë-Bjellorusi për të nisur bisedimet e paqes me delegacionin rus.
Çështja kryesore në axhendën e tyre, thonë ata, është armëpushimi dhe tërheqja e trupave nga territori ukrainas.
Më herët u raportua se bisedimet vazhduan të shtyheshin për shkak të çështjeve logjistike dhe sigurisë.
Në fjalimin e tij të dielën, presidenti ukrainas Zelensky tha se nuk priste një përparim nga këto bisedime.
Por, shtoi ai, ata duhet të përpiqen dhe ta përdorin këtë shans edhe nëse është i vogël, në mënyrë që askush të mos fajësojë Ukrainën që nuk u përpoq të ndalojë luftën.

