Ndahen çmimet e Berlinales, regjisorja spanjolle Carla Simon, fiton “Ariun e Artë”

Regjisorja spanjolle, Carla Simon, fitoi “Ariun e Artë” për filmin e saj "Alcarras", i cili tregon historinë e një familje fermerësh katalanas, që përballen me vështirësi të shumta. Regjisorja franceze, Claire Denis, rrëmbeu “ Ariun e Argjendtë” për regjinë më të mirë për filmin e saj "Avec amour et acharnement", një histori dashurie me Juliette Binoche dhe Vincent Lindon.

Regjisorja spanjolle, Carla Simon, është vlerësuar me çmimin “Ariu i Artë” me filmin "Alcarras", në Festivalin e 72-të të filmit në Berlin. Drama gjysmë-autobiografike rrëfen historinë e një familje fermerësh që kultivojnë pjeshke, dhe luftojnë për të ardhmen e tyre.

Simon, 35 vjeçare, ia kushtoi çmimin familjes së saj, duke thënë se "pa ata dhe afërsinë time me këtë botë nuk do të kisha mundur ta tregoja këtë histori".

Berlinale është festivali i tretë i madh evropian i filmit me radhë që i jep çmimin kryesor një regjisoreje grua, pas Kanës dhe Venecias vitin e kaluar.

Festivali i këtij viti u mbajt për herë të parë në dy vjet, por gjithsesi ishte një garë më e shkurtër se zakonisht, me rregulla strikte për audiencën pasi infeksionet Covid-19 po arrijnë kulmin në Gjermani.

Komediania gjermano-turke, Meltem Kaptan, 41 vjeçe, fitoi çmimin e dytë të aktrimit për interpretimin e saj në "Rabiye Kurnaz vs George W. Bush".

Filmi i regjisorit gjerman Andreas Dresen tregon historinë e vërtetë të betejës së një nëne për të rikthyer djalin e saj nga Gjiri i Guantanamos. Kaptan ia kushtoi çmimin “të gjitha nënave, dashuria e të cilave është më e fortë se kufijtë”.

Regjisorja franceze, Claire Denis, rrëmbeu “ Ariun e Argjendtë” për regjinë më të mirë për filmin e saj "Avec amour et acharnement", një histori dashurie me Juliette Binoche dhe Vincent Lindon.

Gjashtë nga shtatë çmimet kryesore të festivalit shkuan për gratë, duke përfshirë regjisoren më të mirë, të siguruar nga francezja Claire Denis për "Both Sides of the Blade".

18 filma nga 15 vende ishin në garë për “Ariun e Artë”, me jurinë e drejtuar nga regjisori amerikan me origjinë indiane M. Night Shyamalan.