“Barbarë” mbi Lisusin antik, dëmtohet muri i kalasë së Lezhës, sulmohet zyra e informacionit

Atë që nuk e bënë pushtuesit me objektet e trashëgimisë po e bëjnë vetë shqiptarët. Kalaja e Lezhës është përballur me një akt barbarie, ku janë dëmtuar muret antike. Ngjarja është shënuar gjatë natës, kohë kur Monumenti nuk ruhet.

Një akt vandal ka ndodhur gjatë natës në kalanë mesjetarë të qytetit të Lezhës.

Persona të paidentifikuar kanë dhunuar Monumentin, duke shkulur gurët antik e hedhur mbi zyrën e informacionit, e cila është shkatërruar thuajse plotësisht.

Dëmi është konstatuar mëngjesin e së dielës (20 shkurt) nga punonjësit e kalasë, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë.

Këta të fundit kanë kryer veprimet hetimore në vendin e ngjarjes, por pa arritur ende që të zbulojnë autorët e dhunimit të Monumentit.

Specialisti i Monumenteve të Kulturës, Ded Margjoni, thotë se dëmi i shkaktuar është i konsiderueshem, por shpreson që ngjarja të zbardhet sa më parë.

"Veprimi kaq i tmerrshëm, kaq vandal ndaj një objekti, prone publike…Nuk kam fjalë, nuk e gjej dot burimin e kësaj urrejtjeje, këtij motivi për të shkatërruar."

Kjo është e disata herë që kalaja e Lezhës dhunohet nga persona të papërgjegjshëm, por jo në përmasa të kësaj natyre.

Ndërkohë në këtë Monument Kulture mungon roja gjatë natës, çka mund të ndalonte një fenomen të tillë.