16 vite pa Frederik Rreshpjen, miqtë përkujtojnë lirikun, lexojnë e recitojnë në vendin ku poeti prehet

Ky 18 shkurt shënoi 16-vjetorin e ndarjes nga jeta të lirikut të njohur Frederik Reshpjes. Miq e admirues të artit të tij shkuan në varrezat e Rrmajit në Shkodër, aty ku poeti prehet, duke lexuar e recituar disa nga krijimet e tij.

Frederik Rreshpja, një prej lirikëve më të shquar të letrave shqipe u përkujtua në 16 vjetorin e ndarjes nga jeta.

Ai prehet në varrezat katolike të Rrmajit në Shkodër, aty ndërsa vendosen buqetat me lule, miqtë e admirues të letërsisë së tij nuk ja kursyen edhe vargjet poetike.

"Frederik Rreshpja ishte i lindur gjeni. Gjenitë nuk lindin përditë," tha këngëtarja Justina Alia.

Poezitë e recitimet nga krijimtaria e tij, erdhën si homazhe në këtë ditë përkujtimore të poetit të papërsëritshëm.

"Ishte një nga njerëzit që edhe sot mbetet si gur rrezatues."

"Faleminderit Frederik Rreshpja për veprën që na le dhe dhimbje për vuajtjet e pa merituara që hoqe."

"Ai vdiq në mjerim, pro me një pasuri shumë të madhe në duart e tij, me një çantë me libra."

"Më vjen keq vetëm për diçka, që iku nga kjo botë pa e ditur se sa shumë e donin  shkodranët e tij."

Frederik Rreshpja është një nga poetët më të mirë të letërsisë shqipe të gjysmës së dytë të shekullit të XX.

Poezitë Frederik Rreshpjen e bënë të famshëm që herët, sepse u përfaqësua në antologji të ndryshme e në literaturën shkollore, por pasi e denoncuan, ato ia hoqën.