Bashkimi Evropian mbledh nesër Samitin e jashtëzakonshëm për krizën në Ukrainë

Udhëheqësit e BE-së do të takohen ballë për ballë të enjten për të diskutuar zhvillimet e shpejta. Charles Michel në letrën e tij thotë se  "Veprimet e Rusisë shkelin ligjin ndërkombëtar dhe integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës".

Nesër në orën 20:00 do të mbahet një Samit i Jashtëzakonshëm me liderët e Bashkimit Evropian, ku do të takohen fizikisht për të diskutuar krizën në Ukrainë dhe zhvillimet e shpejta pas njohjes së pavarësisë së Luhanskut dhe Donjeckut nga Rusia.

Në letrën  drejtuar liderëve të vendeve anëtare të BE-së, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, i referohet sjelljes agresive të Rusisë, e cila, siç shprehet ai, shkel të drejtën ndërkombëtare.

“Përdorimi i forcës dhe detyrimit për të ndryshuar kufijtë nuk ka vend në shekullin e 21-të”, thotë Charles Michel. 

Në të njëjtën kohë ai thekson se “ju falënderoj për unitetin që keni treguar ditët e fundit, veçanërisht me miratimin e shpejtë sot të paketës së sanksioneve nga Këshilli”.

"Agresioni i Rusisë shkel ligjin ndërkombëtar dhe integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës ," thotë ai duke shtuar se gjithashtu minon rendin evropian të sigurisë.

Duke bërë thirrje për Samitin, ai theksoi se “është e rëndësishme të vazhdojmë të jemi të bashkuar dhe të vendosur dhe të përcaktojmë së bashku qasjen dhe veprimin tonë kolektiv. Prandaj, dëshiroj t'ju ftoj në një Këshill të jashtëzakonshëm Evropian të enjten, më 24 shkurt, i cili do të zhvillohet në Bruksel dhe do të fillojë në orën 20:00".

Në letër ai ka përcaktuar dhe temat e diskutimit, ku thotë:

“Dëshiroj të diskutojmë zhvillimet e fundit, si të mbrojmë rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, si ta trajtojmë Rusinë, në veçanti duke e mbajtur Rusinë përgjegjëse për veprimet e saj, si do të mbështesim më tej Ukrainën dhe popullin e saj. Mezi pres t'ju shoh nesër mbrëma."