Perëndimi i mbyll dyert Rusisë, Shtëpia e Bardhë anulon samitin Putin-Biden
Njohja e dy rajoneve ukrainase si entitete të pavarura nga Ukraina, i ka kushtuar Rusisë mbylljen e dyerve diplomatike pasi presidenti Biden ka anuluar samitin e planifikuar me Putin, ndërsa Blinken ka pezulluar takimin e të enjtes me Lavrov.
Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se një takim mes presidentit Biden dhe homologut të tij rus Vladimir Putin është jashtë tryezës së diskutimeve aktualisht, por megjithatë SHBA i ka të hapura dyert për diplomaci.
Komentet e Uashingtonit vijnë pasi SHBA dhe pothuajse të gjitha vendet perëndimore kanë ndërmarrë sanksione ekonomike ndaj Rusisë, pasi presidenti Putin njohu rajonet e Donjeckut dhe Luhanskut si entitete të pavarura nga Ukraina.
Vendimi për njohjen e rajoneve separatiste duket se ishte fundi i diplomacisë për Rusinë, të cilën vendet perëndimore e kërkuan prej kohësh për të shmangur ndonjë përshkallëzim që do të çonte në pushtimin e Ukrainës.
Edhe sekretari i Shtetit Antony Blinken anuloi një takim me ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov, i cili ishte planifikuar të mbahej të enjten në Gjenevë të Zvicrës për shkak të njohjes së rajoneve të kontrolluara nga rebelët.
Takimi ishte propozuar nga Moska që të mërkurën e kaluar dhe SHBA ra dakord, por kushti i Uashingtonit ishte mos-pushtimi i Ukrainës për të cilën thotë se pas njohjes së rajonit të Donbasit agresioni rus tashmë ka nisur.
Parlamenti rus ndërkohë ka autorizuar përdorimin e trupave për të dalë jashtë territorit të Rusisë.

