Erdogan telefonon Putinin: Turqia nuk do të njohë asnjë masë që cenon integritetin e Ukrainës

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan paralajmëroi të mërkurën homologun e tij rus Vladimir Putin në një bisedë telefonike se "Turqia nuk do të njohë asnjë masë që cenon sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës".

Presidenti turk i tha gjithashtu Putinit "se nga një konflikt ushtarak (në rajon) nuk do të përfitojë askush", dhe përsëriti propozimin e tij për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje.

"Turqia nuk njeh veprime kundër integritetit territorial të Ukrainës," tha presidenca turke, pas njohjes nga Rusia të rajoneve separatiste të Ukrainës lindore si shtete të pavarura.

 Erdogan tha gjithashtu se ai vlerëson bashkëpunimin e ngushtë të Putinit për çështjet rajonale dhe do të donte që të vazhdonte i tillë.

Njohja e Putinit shkaktoi reagime dhe breshëri sanksionesh nga vendet perëndimore. 

Anëtari i NATO-s, Turqia, e cila kufizohet me Ukrainën dhe Rusinë në Detin e Zi, ka marrëdhënie të mira me të dyja dhe kundërshton vendosjen e sanksioneve. 

Turqia ofroi të ndërmjetësonte në krizë dhe paralajmëroi për rrezikun e konfliktit ushtarak.

“Presidenti Erdogan, i cili përsëriti thirrjen e tij për një zgjidhje të çështjes përmes dialogut, tha se është e rëndësishme që diplomacia të dalë në plan të parë dhe se (Turqia) do të vazhdojë qëndrimin e saj konstruktiv edhe në NATO”.

Sipas mediave vendase, më herët Erdogan kishte thënë se Turqia nuk mund të braktisë lidhjet me Ukrainën apo Rusinë.