Sanksionet e Evropës në dëm të BE, Rusia: Ndërprerja e gazsjellësit rus do dyfishojë çmimin e gazit

Ndërprerja e projektit të gazsjellësit rus Nord Stream 2 nga Gjermania ka sjellë efektet e para të rritjes së çmimit të gazit në Evropë, ndërkohë Moska pretendon se çmimi do të dyfishohet në vijim.

Kreu i këshillit të Sigurisë Kombëtare ruse, Dmitri Medvedev tha se pas pezullimit të gazsjellësit rus Nord Stream 2, evropianët do të përballen me dyfishim të çmimit të gazit.

Të mërkurën në bursat ndërkombëtare çmimi i gazit në Evropë sot u rrit mbi 960 dollarë për 1000 metër kub, ose me 2.8% që nga fillimi i këtij viti.

Të martën kancelari gjerman Olaf Scholz njoftoi ndërprerjen e projektit Nord Stream 2 si një masë sanksioni kundrejt Rusisë pasi Moska njohu dy rajone të Ukrainës si shtete sovrane.

Ndërprerja e gazsjellësit rus nga Gjermania i sjell vendit pasoja të mëdha sa i përket furnizimit të vendit me gaz natyror.

Projekti Nord Stream 2 përfundoi në shtator dhe do të lidhte Gjermaninë me Rusinë në mënyrë direkte në pavarësi nga palë të treta, çka do të ulte kostot e gazit, por edhe duke u bërë furnizuesi kryesor i Gjermanisë.