Ukraina në alarm, Kievi shpall gjendjen e jashtëzakonshme 30-ditore
Dy ditë pas vendimit të presidentit rus, Vladimir Putin, për të njohur dy rajonet ukrainase si shtete sovrane, Ukraina ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme 30 ditore, ndërkohë Ati i Shenjtë nga Vatikani bëri thirrje për ulje të tensioneve mes dy vendeve.
Ukraina ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme 30-ditore me frikës së tensioneve në rritje pasi Rusia njohu rajonin e Donjeckut dhe Luhanskut si shtete sovrane.
Vendi properëndimor ka njoftuar se po thërret rezervistë ushtarakë të moshave 18-60 vjeç për një vit shërbimi.
Kievi u kërko ukrainasve që jetojnë në Rusi që të largohen menjëherë nga vendi.
Afro 3 milionë ukrainas mendohet se jetojnë në territorin rus.
Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar se do të ofrojë mbështetje më të madhe ushtarake për Ukrainën, në formën e armëve mbrojtëse dhe pajisjeve të tjera jo vdekjeprurëse.
Kështu deklaroi kryeministri britanik Boris Johnson të mërkurën në Parlament i cili njoftoi edhe se do të rishihte licencën e medies ruse ‘Russia Today’, të cilën perëndimi e konsideron si një mjet të përhapjes së propagandës ruse.
Papa Françesku vëren se skenarët alarmantë në Ukrainë po kërcënojnë paqen e të gjithëve mes frikës së një pushtimi rus.
Ati i Shenjtë kërkoi nga të gjithë palët që të tërhiqen nga çdo veprim që mund të shkaktojë akoma më shumë vuajtje për popullatën.
Ndërkohë sipas udhëheqësve rebelë në Donjeck dhe Luhansk nuk raportohet për prezencë të trupave ruse, siç pretendon Perëndimi.
