Arrestimet te Kadastra e Tiranës, punonjës e ish-punonjës privatizuan Qendrën Shëndetësore në Petrelë

Pesë ish-punonjës të ALUIZNI-t dhe punonjës aktualë të Agjencisë së Kadastrës janë arrestuar me urdhër të prokurorisë pasi në mënyrë të paligjshme kanë lejuar privatizimin e godinës së qendrës shëndetësore në një fshat të Petrelës. Ata i kanë dhënë certifikatë pronësie për objektin shtetasit Hajdar Sula, i cili akuzohet për falsifikim dokumentesh dhe mashtrim me qëllim privatizimin e objektit që në fakt ka qenë pronë shtetërore.

Pesë punonjës dhe ish-punonjës të Agjencisë së Kadastrës u arrestuan me urdhër të prokurorisë pasi në kundërshtim me ligjin kanë tjetërsuar pronësinë e Qendrës Shëndetësore të Petrelës duke lejuar kalimin e saj në pronësi private të shtetasit Hajdar Sula, gjithashtu i arrestuar.

Pas kallëzimit në lidhje me këtë çështje, prokuroria ka vendosur të kryejë ekspertizën nga e cila ka rezultuar se  “qendra shendetesore ne fshatin Qeha –Shetaj ka qene qysh para viteve 90 dhe nuk është ndërtuar nga  shtetasi Hajdar Sula sikur është vetëdeklaruar prej tij dhe gjithashtu konstatohet që nga ana e njësisë vendore dhe institucionit të ALUIZN-it nuk janë respektuar dispozitat ligjore për këtë ndërtesë”.

Sipas prokurorisë, ish-punonjësit të ALUIZNI-t, që kanë bërë matjet në terren, Klediol Bilo dhe Petro Fusha, kanë konsumuar elemente të veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”.

Ata kanë shkuar në terren, kanë kryer matjet dhe nuk kanë pasqyruar që në objektin objekt legalizimi ndodhej Qendra Shëndetsore e fshatit Qeha-Shytaj, që është pasuri shtetërore. 

Ish-punonjësi i ALUIZNI-t Adrian Duro ka konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimi i detyrës”  duke dërguar në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, kërkesën për përcaktimin e statusit juridik të pronës.

Gjithashtu, veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës” konstatohet ta kenë konsumuar edhe punonjësit e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Ergys Halili dhe Leonard Grabova, të cilët kanë pajisur me certifikatë pronësie mbi objektin 2 katësh.

Përsa i përket përfituesit të kësaj prone, shtetasit Hajdar Sula, vlerësohet se ka konsumuar dy vepra penale, atë të “Mashtrimit” dhe “Fallsifikimi i dokumentave”.

Prokuroria thekson se në dosjen e legalizimit të pronës, ndodhen dy deklarata noteriale, të këtij shtetasi, i cili deklaron fakte të rreme, lidhur me investimin nga ana e tij në godinën e Qendrës Shëndetësore, që në vitin 1997.

Njoftimi i policisë për arrestimet

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në DVP Tiranë në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar "Legalizimi i fundit", në kuadër të të cilëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

- P. T., 42 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë specialist jurist në Drejtorinë Rajonale ASHK, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim;

- L. G., 56 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë specialist hartograf në Drejtorinë Rajonale ASHK, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim;

- A. D., 36 vjeç, banues në Tiranë, ish-specialist hartograf në Drejtorinë Rajonale ASHK, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim;

- H. S., 60 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale "Mashtrimi" dhe "Falsifikimi i dokumenteve".

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasit L. G., A. D., P. T., me detyrë specialistë juristë dhe hartografë në Drejtorinë Rajonale e ASHK “Rurale 1” Tiranë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në mënyrë të kundraligjshme dhe në kundërshtim me Ligjin Nr.111/2018 “Për Kadastrën“, kanë regjistruar një ndërtesë në favor të shtetasit H. S, ndërsa shtetasi H. S., ka paraqitur dokumente të falsifikuara për regjistrimin e një ndërtese në favor të tij, në Drejtorinë Rajonale të ASHK “Rurale 1” Tiranë.