Gjykata e Tiranës dënon me 17 vite burg Francesco Becchettin
Pas një procesi afro 5 vjeçar drejtësia shqiptare ka dënuar me 17 vite burg biznesmenin italian Francesco Becchetti. Vendimi u shpall nga Gjykata e Tiranës ndërkohë që prokuroria kishte kërkuar dënimin e tij me 20 vite. gjykata ka vendosur ti kalojë shtetit pasuritë e sekuestruar në Shqipëri të biznesmenit ndërsa është shprehur në vendim se edhe procesi në arbitrazh është bazuar në dokumente fiktive.
Gjykata e Tiranës dënoi me 17 vite burg biznesmenin italian Francesko Beccheti, i gjykuar në mungesë për vjedhje duke shpërdoruar detyrën, krijim të skemave mashtruese me qëllim përfitimin e paligjshëm si dhe pastrimin e parave.
Vendimi u dha nga një trupë e kryesuar nga gjyqtari Besnik Hoxha dhe anëtar Lazër Sallaku dhe sokol Pasho të cilët vendosën shpalljen fajtor të biznesmenit dhe dënimin e tij me 17 vite burg.
Gjithashtu nëna e biznesmenit Liliana Condomitti dhe shtetasja Eriona Troplini u dënuan secila me nga 8 vite burg për pastrim të produkteve të veprës penale.
Ndërsa bashkëpunëtori i tij Mauro De Renzis u dënua me 16 vite. Gjykata ka vendosur edhe që 4 kompanitë e sekuestruara Becchettit, konkretisht “Energji” sh.p.k. “Cable System” sh.p.k, “400 KV” sh.p.k dhe “Agon Set” sh.p.k ti kalojnë shtetit.
Gjyqtari u shpreh në vendim se edhe procesi i ngritur në arbitrazh nga të pandehurit kundër Shqipërisë ku kërkuan mbi 100 milionë euro, është bazuar në dokumente fiktive.
Si rrallë ndonjëherë mbrojtja për biznesmenit ka zgjatur mbi një javë, ndërsa avokatët kërkuan shpalljen e tij të pafajshëm. Gjykimi për biznesmenin ka zgjatur mbi 5 vjet ndërsa prokuroria në konkluzionet përfundimtare kërkoi dënimin e tij me 20 vite burg ndërkohë që prej 6 vitesh biznesmeni italian është shpallur në kërkim nga Shqipëria.
Francesco Becchetti është pronar i televizionit “Agon Channel”, i cili u mbyll por pas një përplasje me qeverinë e Kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj.
Në atë kohë, Francesko Beccheti akuzoi shtetin shqiptar se masat kundër tij u morën për shkak të linjës editoriale që ndiqte televizioni kundër Ramës, dhe vendosi ta hedhë në gjyq qeverinë.
Drejtësia shqiptare ka konfiskuar asetet e Becchettit në Shqipëri, përfshirë hidrocentralin në ndërtim të Kalivaçit dhe televizionin Agon Channel në kuadër të një hetimi për pastrim parash.
Qendra Ndërkombëtare për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të Investimeve (ICSID), e dënoi Shqipërinë në Prill të vitit 2019 me 110 milion euro, duke gjykuar se mbyllja e televizionit ishte “motivuar politikisht”.
