Zoto, Mërtiri e Gugallja, investim në Zimbabve me lekët e Shqipërisë?! Rama: Nga e nxorët këtë? E guximshme...
Jorida Tabaku, kryetarja e Komisionit Hetimor e pyeti kryeministrin Edi Rama a është në dijeni që procedurat për 3 incineratorët e Fierit, Elbasanit dhe Tiranës janë fituar nga i njëjti grup kompanish, 2 prej pronarëve ndodhen në kërkim. Kryeministri ju shmang pyetje dhe tha se është i lumtur që reforma në drejtësi po funksionin.
Pjesë nga debati
Tabaku: A jeni në dijeni që proceduarat për këto 3 incineratorë janë fituar nga i njëjti grup kompanish?
Rama: Procedurat në këndvështrimin tim mund të fitohen nga 7 grupe, nuk është puna ime dhe nuk është një nga gjërat që kam dëshirë të merrem. Unë dua punë dhe rezultatin. Pastaj proceset e brendshme për të arritur rezultatin është një zinxhir i tërë njerëzish kanë funksionuar dhe kanë kryer detyrat e tyre.
Tabaku: A jeni në dijeni që 3 procedura të ndryshme janë fituar nga i njëjti grup kompanish, 2 pronarë prej të cilëve janë në kërkim?
Rama: Unë nuk merrem me procedura. As pasioni im nuk janë procedurat, kam shumë besim te gjithë struktura, te njerëzit që kanë detyrë t'i bëjnë. Ata nuk janë në kërkim se kanë marrë 430 mln e kanë ikur. Dyshohet se kanë hyrë në një marrëdhënie korruptive me një ish-ministër. Jam në dijeni që janë në kërkim dhe jam shumë i lumtur që reforma në Drejtësi po funksionon.
Tabaku: A jeni në dijeni që buxheti i shtetit vazhdon i paguan incineratorin në Fier dhe Tiranë pavarësisht se këta janë duke u gjykuar.
Rama: Jam në dijeni.
Tabaku: A keni dijeni që 3 pronarët e kompanive të incineratorëve kanë krijuar të njëjtën skemë edhe në Zimbabve dhe janë duke investuar me fonde të cilat i kanë marrë nga kontrata publike në Shqipëri?
Rama: Nga e nxirrni ju këtë? Kjo është shumë interesante. Shteti shqiptar paska financuar në Zimbabve? Më tregoni një dokument. Ky është një opinion shumë guximtar, në aspektin e fantazisë, por nuk e di ku është lidhja. Nuk kam dijeni për këtë, do ta shoh me shumë interes. Unë di që ne kemi investuar 55.3 mln për Fierin dhe Elbasanin dhe kaq. Nuk kam dijeni për këtë, do ta shoh me interes.
