Tabaku i përmend firmën e Veliajt, Rama: Jep vetëm miratimin, por jo fonde pa këshillin bashkiak
Gjatë dëshmisë në komisionin hetimor të incineratorëve kryeministri Rama u pyet për kompetencat e kryetarit të bashkisë së Tiranës lidhur me firmën për incineratorët.
Kryeministri Rama tha se kryetari i bashkisë është një autoritet i zgjedhur dhe nuk angazhon fonde, por angazhon bashkinë.
Sipas Ramës, Veliaj ka dhënë vetëm miratimi ne tij si kryetar bashkie në parim, ndërsa tha se nëse do të kishte dhënë miratim fondi pa këshillin, do të ishte një çështje tjetër.
Tabaku: Kemi pasur raste të ngjashme për tejkalim kompetencash si në Tiranë, ashtu edhe në Fier e Elbasan. Buxheti i shtetit është ekspozuar ndaj këtyre kontratave që shkojnë deri në 430 milionë euro.
Rama: Nëse do të gërmoni në bashkinë e Tiranës, do të gjeni shkresa të kohës tuaj, por me siguri edhe të miat, ku një grup vjen dhe shpreh interes. Kryetari i bashkisë është një autoritet i zgjedhur dhe nuk angazhon fonde, por bashkinë. Mesa pashë atë ndërveprimin tuaj dje, dhe kryetari i bashkisë nuk ka marrë veprim financiar, por ka shprehur opinionin e tij në parim. Nëse kryetari i bashkisë angazhon fonde pa mendimin e këshillit bashkiak, atëherë flasim, por në atë shkresë ai shpreh mendimin e tij pozitiv për ta marrë në konsideratë këtë projekt.
Nëse ju më jepni shkresën ku kryetari i bashkisë angazhon fonde pa mendimin e këshillit bashkiak, jemi në një temë tjetër. Kryetari i bashkisë është autoriteti suprem sepse është zgjedhur me votën e popullit. Sigurisht që kryetari mund ta thotë se është i interesuar. Kryetari i bashkisë që çon letër dhe angazhon fonde, pa këshillin bashkiak, është në shkelje.

