Dëshmia e paqtë e ish-ministrit, Tabaku: Uroj të mos shihemi më për të tilla arsye; Cani: Dëmi Shqipërisë i vjen…

Si rrallë ndonjëherë me dëshmitarët që janë marrë në pyetje ditët e fundit nga Komisioni Hetimor për incineratorët, dëshmia e ish-ministrit të Financave Shkëlqim Cani shkoi e qetë.

Madje e tillë edhe u mbyll. Kryetarja e Komisionit Tabaku teksa e falenderoi për praninë e tij, shpresoi që mos të shihen më bashkë për të tilla arsye.

Tabaku: Dua t'u falenderoj, t'ju kërkoj ndjesë që ju rifutëm në politikën aktive dhe në diskutimin politik të ditës. Besoj që të gjithë patëm interes për dëshminë tuaj. Besoj që nuk e kaluam cakun, që ndoshta dhe kemi humbur durimin ndonjëherë me dëshmitarët e tjerë. Shpresoj që në të ardhmen të mos shihemi më bashkë për kështu arsyesh, megjithëse komisione hetimore të tjera ka plot nevojë ky kuvend për të ngritur por vendimarrrja juaj me 16 shkurt i ka mbyllur rrugën përgjegjësisë tuaj për çdo gjë tjetër.

Duke i mirëkuptuar deputetët, Cani u la edhe një porosi.

Cani: Edhe unë ju falenderoj për këtë dëshmi, nuk pata siklet nga asnjëri nga ju. Ju uroj punë të mbarë. I mençuri dhe mund të ngutet por nuk nxiton. Dëmi Shqipërisë më shumë i vjen nga ata që nxitojnë dhe asnjëherë nuk janë në kohën e duhur dhe në vendin e duhur.

Tabaku: Faleminderit, unë e marr si koment për incineratorët sepse këto ditë çdo gjë më duket e lidhur me incineratorët.