Mbretëresha Geraldinë "mërzit" komunistët, debatikasit: Të gjykohet drejt mbi LANÇ-in

Në 80-vjetorin e Debatikut, pasardhësit e anëtarëve të saj kërkojnë qëndrim të drejtë për Luftën Anti-Fashiste Nacional Çlirimtare. Djemtë e bashkuar të idealeve komuniste gjithashtu shprehën zhgënjimin për vendosjen në Tiranë të bustit të bashkëshortes së mbretit Zog, mbretëreshës Gerladinë.

Vendosja e bustit të mbretëreshës Geraldinë në Tiranë ka ngjallur debate politike.

Komiteti Kombëtar i Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ nuk e fshehin zhgënjimin nga kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, për lejen e dhënë.

"Shprehim këtë shqetësim sepse në kundërshtim të asaj që mendon në kohë dhe ndjen në zemër shumica e popullit të thjeshtë lejohen të ngrihen shtatore, të organizohen ceremoni  shtetërore për kryetarin e Ballit Kombëtar dhe kohët e fundit ti kushtohet memorial dhe bashkëshortes së të ashtuquajturit mbret i shqiptarëve".

Në 80-vjetorin e krijimit të debatikëve, Komiteti Kombëtar i Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të LANÇ solli në vëmendje diskutimet mbi rëndësinë e kësaj lufte.

Nënkryetari i saj kërkoi nga politika të bëjë kujdes me deklaratat për ata që dhanë kontribut në çlirimin e atdheut.

"Kemi shumë respekt për pushtetarët tanë dhe nuk na e lëkund kush këtë bindje por kjo nuk na e mbyll gojën të themi troç atë që mendojmë për çështje të historisë sepse ndodh që nuk i vihet veshi sa duhet lavdisë së luftës, në Europë dhe Botë nuk ndodh kështu."

Këto deklarata u bënë gjatë aktiviteti të promovimin e numrit e tretë të revistës shkencore muzeologjike "Dritëhije" në Muzeun Kombëtar të Përgjimeve "Shtëpia me Gjethe".