Peci: Muzika bizantine zbut edhe njeriun më të egër
Muzika bizantine ortodokse, ose ndryshe psalmet janë një ndër elementët kryesorë të besimtarëve të krishterë ortodoksë.
Drejtuesi i korit të kishës ortodokse "Ngjallja e Krishtit" në Tiranë, Theodhor Peci thotë në "Ditë e Re" në RTV Ora se praktika e psalmeve i kanë rrënjët që nga lashtësia dhe se të kënduarit në kor ndihmon besimtarët të lidhen me Zotin.
Theodhor Peci: Muzika zbut njeriun më të egër. Muzika shpirtërore depërton më thellë në zemër. Janë melodi të trashëguara që prej lashtësisë. Janë ta pastra, mbartin përvojën e vjetër të njerëzimit.
Ndërkohë anëtarët e korit të Kishës Jorgo dhe Eltini rrëfejnë përvojën e tyre si dhe emocionet kur kënduan për herë të parë në kor.
Jorgo: Kam nisur studimet në shkollën e muzikës bizantine. Kam qenë i vogël që jam rritur në Kishë. Më ka pëlqyer bota shpirtërore. Ne në kishë bashkohemi me perëndinë. E psalura, ose këndimi ndihmon besimtarët të marrin pjesë në bashkimin me perëndinë. Atë që do këndosh duhet ta ndjesh.
Eltin: Vij nga një familje me traditë ortodokse. Erdhi ftesë nga qyteti i Korçës dhe ndihem shumë i lumtur për këtë. Jam në hapat e mi të parë. Në psalmin tim të parë këtu në Tiranë nuk kisha shumë emocione, sepse kisha kënduar dhe herë tjera në grupe me të vogla në qytetin tim, në Korçë.