Peticion për dekomunistizimin, Godole: Pas 31 vitesh nuk mund të shohim portretet e diktatorit në rrugë
Dekomunistizimi tashmë kërkohet përmes një peticioni në Parlamenitn e Shqipërisë.
Në edicionin e 7 të “ditëve të Kujtesës” Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë ka kërkuar nga Parlamenti që veç të tjerash të rishikohen emrat e rrugëve dhe institucioneve arsimore si dhe të bëhet një rishikim i kurikulave në shkolla. Gjithashtu IDMC ka kërkuar të frenohet me ligj ndikimi i vazhdueshëm i regjimit komunist të diktatorit Enver Hoxha.
E ftuar në RTV Ora me gazetaren Beti Njuma, drejtoresha e IDMC Jonila Godole ka treguar se pse është i domosdoshëm një ligj i tillë.
Godole: Nga puna në terren kam parë dhe kam menduar se ka disa problematika të cilat nuk mund të anashkalohen më dhe duhet të adresohen në një formë të caktuar. Kanë kaluar 30 vjet nga rënia e regjimit komunist dhe thjesht duke pritur nuk është se po ndodh diçka. Në thelb nuk ka një reflektim më të thellë dhe kjo është kauza ime prej vitesh. Shoqëria shqiptare pas 30 vitesh ka nevojë ta dijë historinë siç ishte. A do jetë kjo e vërteta e madhe absolute? Jo nuk do të jetë. Gjithmonë do dalë një fakt apo një dokument i ri, por nuk mund të presim pafund. Unë jam për hapje dhe transparencë totale si të krimeve të komunizmit, të përgjegjësive të komunizmit, të dokumenteve. Në një shtet ku kemi pasur 45 vite diktaturë gjëja më e paktë që të gjitha qeveritë duhet të bënin ishte që të krijojnë akses të lirë për studentë, studiuesit, popullin shqiptar që ka nevojë për dokumente.
Peticioni do të çohet në Parlament, por si për ironi vetë ligjvënësit shqiptarë glorifikojnë Enver Hoxhën. Rasti i parë ishte i deputetes Luljeta Bozo e cila kur u pyet për regjimin komunist tha se kishte më shumë gjëra pozitise se sa negative dhe rasti i dytë i deputetit Bujar Çela që zgjodhi të uronte kolegët për festën e Pavarësisë me fotografinë e Enver Hoxhës.
Zonja Godole u shpreh se e ka testuar peticionin me njerëz të kategorive të ndryshme dhe të bindjeve të ndryshme politike dhe janë dakord me pikat që janë zgjedhur aty.
Godole: Të gjitha pikat aty janë të realizueshme. Jam e bindur që një pjesë e madhe e mazhorancës e kanë atë lloj ndjeshmërie dhe humanizmi që të kuptojnë se pas 31 vitesh nuk mundet më të shohim portretet e diktatorit nëpër rrugë, nuk mundet më të ndodhë në Parlament nga deputetët, nga kryeministri të ndodhë glorifikimi i diktaturës sa herë atyre i intereson. Kjo duhet të marrë fund!
Çfarë kërkohet nëpërmjet peticionit
“I kërkojmë parlamentit, miratimin e një kuadri ligjor që:
-ndalon propagandën e regjimit komunist,
-ndalon ligjërimin glorifikues të diktaturës
-ndalon përdorimin e simboleve të regjimit komunist në hapësirën publike;
-vetingun e funksionarëve politikë dhe drejtuesve të institucioneve,
-rishikimin e emërtimit të shkollave, rrugëve, shesheve dhe institucioneve duke propozuar ndryshime konkrete
-rishqyrtimin e kurrikulave mësimore në ciklin shkollor duke propozuar krijimin e një grupi pune të përbërë nga juristë, studiues, historianë dhe specialistë të fushës”.
Përfaqësues të organizatave europiane vlerësojnë nismën e ndërmarrë në Shqipëri, ndërsa shtojnë se me rëndësi është që historia komuniste shqiptare të njihet edhe në Europë si një hap drejt demokracisë funksionale.
Intervistoi Beti Njuma, përgatiti Xhuljana Zhuleku
