Berisha në Bubullimë të Lushnjes: 6 marsi fillimi i një kthese të madhe, ndryshimi jetik për çdo shqiptar
Pasditen e 17 shkurtit, Sali Berisha zhvilloi një takim me banorët e Bubullimës në Lushnje në mbështetje të kandidatit të "Shtëpisë së Lirisë" Elton Bano.
Elton Bano kandidon më 6 mars përballë Eriselda Sefës së PS dhe Indrit Sefës të PD.
Berisha shprehu bindjen se kandidati Bano do të jetë një shërbëtor i përulur dhe i bindur i qytetarëve të Lushnjes.
Berisha: Duke votuar Elton Banon ju shkëputeni nga një administrim shumë vjeçar abuziv i Lushnjes dhe firmosni gjithashtu për veten tuaj, për Lushnjen dhe Shqipërinë fillimin e një kthese të madhe. Një kthese dhe një ndryshimi që është jetik sot për çdo shqiptar. Në këto 8 vite çfarë do gjeni si rezultat i tyre? Do gjeni uljen për shkak të inflacionit të rrogave dhe pensioneve të paktën me 30%.
Në vitin 2013 rrogat dhe pensionet ishin më të lartat në të gjithë rajonin. Ju jeni dëshmitarë, Çfarë investimesh janë bërë në Lushnje në këto vite. Nëse ka qytetarë të braktisur nga kjo qeveri të parët janë të rinjtë dhe të dytët janë fermerët. Të cilët, po i braktise, të rinjtë ikin dhe largohen, fermerët shkojnë drejt kapitullimit. Një fermer më shkruante se do të mbyllte serën për 6 muaj sepse punëtorët po ikin një nga një jashtë.
