Incineratorët "pushtojnë" Parlamentin, Basha paralajmëron arrestime: Çështje kohe!
Incineratorët janë kthyer në betejën e demokratëve kundër qeverisë së Edi Ramës, jo vetëm në komision hetimor, por edhe në seancën parlamentare. Ndërsa Kryeministri fluturonte nga SHBA drejt Gjermanisë, opozita nga foltorja hodhi akuza për përfshirje në afera korruptive.
"430 milionë euro minimumi afera e incineratorëve, skemë e cila përfshin ministritë kryesore dhe kryeministrin. Njerëzit e kuptojnë se koka e këtij korrupsioni është Edi Rama," tha Basha.
Ndryshe nga legjislaturat e tjera, akuzat e opozitës tanimë nuk janë përqendruar vetëm kundrejt mazhorancës por lufta politike është zhvendosur edhe në një tjetër front Basha-Berisha.
"Këtu krijohen komisione në vend që të përdoren për transparencë, përdoren për luftë të brendshme brenda mazhorancës," tha Berisha.
"Ka një palë të interesuar t'i shkojë të vërtetës deri në fund që është PD, dhe dy palë njëra që do ta fshehë me çdo kusht të vërtetën dhe tjetra do ta minimizojë," tha Basha.
Në mungesë të kryeministrit, i cili së fundmi e ka shmangur debatin në seanca, në mbrojtje të akuzave jo vetëm politike është vendosur ministrja Spiropali.
"Ne do presim me shumë urtësi dhe mençuri deri sa i fundit të marrë atë që meriton," tha Spiropali.
Ndërsa aktorët politik debatojnë me njëri-tjetrin për të fituar besueshmëri në publik, një banorë e "5 Majit" tregoi që për të kërkuar zgjidhje për hallin e saj, kapërcehet të gjitha pengesat. Për të gjetur një shpresë që banesa e saj të mos shembet me 22 shkurt, vajza theu sigurinë e gardës dhe arriti të futej në Parlament.
"Për mua shpresa e vetme është Sali Berisha."
