Ilir Meta edhe 5 muaj në detyrë, Rama i detyruar të pranojë Presidentin që s'do

Ilir Meta do të qëndrojë në krye të Presidencës deri me 24 korrik të 2022, duke fituar kështu betejën e dytë me mazhorancën socialiste.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur ta lërë në detyrë Kreun e Shtetit duke shfuqizuar vendimin e Parlamentit të 9 qershorit të një viti më parë dhe duke shmangur në këtë mënyrë vendosjen e një precedenti të parë në historinë e vendit.

6 anëtarë të Kushtetutës kanë argumentuar se Presidenti  nuk ka shkelur rëndë Kushtetutën, me qëndrimin dhe deklaratat e tij gjatë fushatës elektorale të 25 prillit kundrejt mazhorancës apo ndërkombëtarëve.

Ndërsa gjyqtari i 7, Altin Binaj, të cilit i ka përfunduar edhe mandati, i ka lexuar provat e Kuvendit në të njëjtin mënyrë si socialistët.

Vullneti politik i mazhorancës dhe beteja e tyre ligjore për të shkarkuar IlIr Metën dështoi sërish pas iniciativës së parë në 2020.

Pas vendimit të Kushtetueses edhe për 5 muaj ata do të duhet të respektojnë Ilir Metën si Presidentin e tyre.

"Më vjen mirë Lul që Gaz Bardhi po mbron Ilir Metën. Gjykata Kushtetuese ka thënë që Presidenti e ka shkelur Kushtetutën por e ka shkelur butë, nuk e ka shkelur fort dhe ti i kupton mirë këto butë dhe fort," tha Balla në Parlament.

"Vendimi i Gjykatës është për tu zbatuar, ne nuk jemi nga ai soj që themi vendimet e gjykatës vlejnë për ne dhe nuk vlejnë për të tjerët, ose vlejnë për ata të tjerët dhe nuk vlejnë për ne. Unë pres që Ilir Meta të dalë sot dhe të lëpijë gjithë pështymën që ka hedhur mbi Gjykatën gjatë gjithë kësaj periudhe," tha Braçe.

"Presidenti nuk është se nuk ka bërë shkelje. Ideja ishte i ka bërë të rënda apo jo në respekt të Kushtetutës," tha Pëllumbi."

Në krah të Ilir Metës është pozicionuar ish kryeministri Sali Berisha, ndërsa për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese hedh akuza për ndikim nga politika.

"Gjykata Kushtetuese duke treguar varësinë e tmerrshme nga politika nuk dënoi aktin e falsifikimit. Nuk kam pasur kurrë, as edhe një dyshim më të vogël se aty ka pasur krim kushtetues në qëndrimet e Presidentit," tha Berisha.

Qëndrimi në detyrë e Ilir Metës, këtë të enjte nuk ka qenë në axhendën politike të shefit të selisë blu Lulzim Basha.

"Nuk është një vendim i cili komentohet," tha Basha.

Në mes të muajit prill parlamentit do të nisë procedurat dhe konsultimet për zgjedhjen e Presidentit të ri, i cili do të zëvendësojë Ilir Metën pas 24 korrikut.

Në 3 raundet e para PS i duhet edhe vota e PD në Kuvend, në rast të mos arritjes së një konsensusi mazhorancë-opozitë, Edi Rama ka mundësi që me raundin e 4 dhe të 5 të çojë në krye të shtetit një emër të besuar të tij.